2006-05-05 19:42:02

Nga Kisha katolike në Botë


Romë: Rëndësia e informacionit etikisht korrekt e të vërtetë në marrëdhëniet ndërkombëtare, është në qëndër të një takimi studimi në Universitetin Papnor Gregorian, që u hap dje nga kardinali Renato Rafaele Martino.
“Informacioni ka shumë përgjegjësi për mbrojten e drejtësisë ndërkombëtare e të paqes, në një botë ku globalizimi çon në formimin e rrufeshëm të një opinioni publik përtejkombëtar”. Këtë vuri në dukje kardinali Martino, kryetar i Këshillave Papnore të Drejtësisë e Paqes dhe të Emigrantëve e Endacakëve, duke hapur, në Universitetin Gregorian në Romë, punimet e Takimit të studimit me temë “Etika e informacionit në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Takimi mbahet në kuadrin e nismave të Seminarit të përhershëm të studimeve mbi etikën në marrëdhëniet ndërkombëtare, themeluar pranë Universitetit Papnor nga senatori Gjuzepe Vedovato, që të ndjehet më shumë fryma etike në udhëheqje të marrëdhënieve ndërmjet popujve, me bindjen se mungesa ose kufizimi i vlerave etike çon, në mënyrë të pashmangëshme, në perëndimin e çdo qytetërimi.
Bolivi
Temat e mëdha që spikasin në jetën e Bolivisë vihen në qëndër të vëmendjes në dokumentin përfundimtar të punimeve të Konferencës Ipeshkvnore vendase. Flitet kryesisht për nacionalizimin e hidrokarbureve, sipas dëshirës së vetë popullit, shprehur përmes referendumit të vitit 2004. Prelatët urojnë që një veprim i tillë tepër i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, të administrohet me drejtësi, të mos bjerë përsëri në duar njerëzish të korruptuar dhe që frytet ekonomike t’i gëzojnë edhe - e sidomos - më të varfërit.
Me syrin drejtuar nga Konferenca V e Episkoptatit latino-amerikan e karaibik, që do të mbahet në vitin 2007 në Brazil, ipeshkvijtë bolivianë e ftojnë mbarë popullin e Zotit, sidomos laikatin, të marrë gjallërisht pjesë në të gjitha etapat e kësaj ngjarjeje të madhe kishtare.
Çampino
Të përkulen, si Samaritani i Mirë, përballë nevojave të vëllezërve, posaçërisht të atyre që janë më të varfër e që kanë më shumë mangësi: kjo është ftesa që kardinali Kreshencio Sepe, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, e vuri në plan të parë dje, në Çampino, pranë Romës, duke hapur asamblenë e përgjithshme të Veprave Papnore Misionare. Në fjalimin e tij, kardinali Sepe citoi Statutin e ri, një tekst tepër i qartë e i përshtatshëm, që ndihmon në përballimin e problemeve jo të pakta e të sfidave të situatës aktuale misionare në botë. Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve vuri theksin mbi temën e bashkimit të katolikëve, duke shpjeguar se kur shkëmbehen dhurata ndërmjet Kishave, duhet pasur shumë kujdes që mos të ndjehet kurrë epërsia e atij që dhuron e ligështia e atij që merr. Kardinali Sepe porositi që të respektohet shkalla e nevojave kishtare e jo aftësia administrative e disave, sepse kishat duhen trajtuar njëlloj, pa nënvleftësuar asnjërën – tha në përfundim prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.
Poloni
Ipeshkvijtë polakë kanë ngritur një “Këshill” për programimin e transmetimeve të Radio Marisë. Këshilli ka për detyrë të garantojë vijën baritore të emitentes në përkim me mësimet e Kishës.
Kujtojmë se Radio Maria në Poloni ka qenë kohët e fundi në qëndër të polemikave, për qëndrime të njëanshme lidhur me grupe të veçanta politike polake.
Vatikan
Këto ditë pa dritën e shtypit, vëllimi II i Enchiridionit të Sinodit të Ipeshkvijve, që përfshin periudhën nga viti 1989 deri më 1995.
Në vëllim përmblidhet edhe Sinodi i posaçëm për Evropën, mbledhur menjëherë pas shembjes së mureve, në të cilin edhe Shqipëria, pas 50 vjet ateizmi shtetëror, mundi të dërgonte përfaqësuesin e vet. Kujtojmë se Sinodi i Ipeshkvijve u krijua nga Papa Pali VI 40 vjet më parë, e pikërisht më 15 shtator 1965, dy vjet para se mbi Institucionet fetare të Shqipërisë të shpërthente stuhia më e tmerrshme e diktaturës.







All the contents on this site are copyrighted ©.