2006-05-05 19:45:41

Me anë të dy mesazheve, Benedikti XVI dhe Patriku Aleksi II përshëndetën pjesëmarrësit në takimin mbi kulturën evropiane që po mbahet në Vjenë.


Vijojnë në Vjenë punimet e takimit të parë mbi kulturën në Evropë, promovuar nga katolikët dhe ortodoksët me temë “T’i rijapim një shpirt të ri Evropës. Misioni dhe përgjegjësia e Kishave.”
Simpoziumi organizuar nga Këshilli Papnor për Kulturën dhe nga Patriarkana e Moskës, u hap me datë 3 maj. Ati i Shenjtë Benedikti XVI u drejtoi pjesëmarrësve– ekspertë, laikë dhe rregulltarë të të gjithë kontinentit evropian – një mesazh ku urohet që ata t’i prijnë së bashku “një ungjillëzimi të guximshëm dhe të ripërtërirë të Evropës të mijëvjeçarit të tretë.”
Një mesazh urimi dërgoi edhe Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Aleksi II. “Shpreh bindjen – shkruan Patriku – se kishat tona, besnike ndaj traditës apostolike përsa i përket bazave të vizionit të krishterë, duhet të impenjohen sot së bashku për mbrojtjen e vlerave themelore të krishtërimit.”
Sipas Aleksit II, ortodoksët dhe katolikët “mund t’i japin shpresë zemrave të miliona personave që sinqerisht kërkojnë Mbretërinë e Zotit dhe që nuk kënaqen me atë çka propozon shoqëria e sotme konsumiste.” Primati i Kishës Ortodokse ruse ripohon se “qytetërimi evropian është i ndërtuar mbi vlerat e krishtera” dhe se ky është një fakt i padiskutueshëm. Ja pse – thuhet në notë – “populli me fe duhet t’u rikujtojë gjithnjë bashkëkohësve se burimi i vërtetë i të gjitha aspiratave më fisnike të Evropës, si respektimi i lirive njerëzore dhe toleranca kundrejt çdo ideje, buron nga mesazhi i krishterë i dashurisë për Zotin dhe për qenien njerëzore, krijuar sipas shembulltyrës së Tij.”








All the contents on this site are copyrighted ©.