Me anë të dy mesazheve, Benedikti XVI dhe Patriku Aleksi II përshëndetën pjesëmarrësit
në takimin mbi kulturën evropiane që po mbahet në Vjenë.
Vijojnë në Vjenë punimet e takimit të parë mbi kulturën në Evropë, promovuar nga
katolikët dhe ortodoksët me temë “T’i rijapim një shpirt të ri Evropës. Misioni dhe
përgjegjësia e Kishave."Simpoziumi organizuar nga Këshilli Papnor për Kulturën
dhe nga Patriarkana e Moskës, u hap me datë 3 maj. Ati i Shenjtë Benedikti XVI u drejtoi
pjesëmarrësve– ekspertë, laikë dhe rregulltarë të të gjithë kontinentit evropian –
një mesazh ku urohet që ata t’i prijnë së bashku “një ungjillëzimi të guximshëm dhe
të ripërtërirë të Evropës të mijëvjeçarit të tretë.” Një mesazh urimi dërgoi edhe
Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Aleksi II. “Shpreh bindjen – shkruan Patriku
– se kishat tona, besnike ndaj traditës apostolike përsa i përket bazave të vizionit
të krishterë, duhet të impenjohen sot së bashku për mbrojtjen e vlerave themelore
të krishtërimit.” Sipas Aleksit II, ortodoksët dhe katolikët “mund t’i japin shpresë
zemrave të miliona personave që sinqerisht kërkojnë Mbretërinë e Zotit dhe që nuk
kënaqen me atë çka propozon shoqëria e sotme konsumiste.” Primati i Kishës Ortodokse
ruse ripohon se “qytetërimi evropian është i ndërtuar mbi vlerat e krishtera” dhe
se ky është një fakt i padiskutueshëm. Ja pse – thuhet në notë – “populli me fe duhet
t’u rikujtojë gjithnjë bashkëkohësve se burimi i vërtetë i të gjitha aspiratave më
fisnike të Evropës, si respektimi i lirive njerëzore dhe toleranca kundrejt çdo ideje,
buron nga mesazhi i krishterë i dashurisë për Zotin dhe për qenien njerëzore, krijuar
sipas shembulltyrës së Tij.”