2006-05-04 19:05:30

Ipeshkvijtë e Kanadasë në vizitë ‘ad Limina’ tek Papa. Sfida: ta mposhtin laicizmin që është përhapur në të katër anët e vendit


( 04. 05. 06 R. V. )Të luftohet laicizmi tepër i përhapur në Kanada, me riungjillëzimin e dialogun ndërfetar dhe ekumenik: ky është objektivi i ipeshkvijve të vendit veri-amerikan, që ndodhen për vizitë ‘ad Limina’ në Vatikan.
Filluan sot paradite në Vatikan takimet e ipeshkvijve të Kanadasë me Benediktin XVI. Vizita ‘ad Limina, e prelatëve veri-amerikanë do të vijojë deri më 15 majin e ardhshëm e do t’u krijojë mundësinë t’i paraqesin Atit të Shenjtë panoramën kishtare e shoqërore të një kombi të madh e të larmishëm, në gjirin e të cilit veprimtaria e Kishës për ta rikthyer Krishtin në zemër të Kanadasë, që po e harron Zotin, ndesh vështirësi jo të pakta.
Është fjala për një veprimtari që shtrihet në një territor prej 10 milion kilometrash katrore, me tridhjetë milionë banorë, 83 % e të cilëve kristianë, gjysma katolikë. Në një vend të tillë, vijon me vrull shkristianizimi, i nisur në vitet ’60. Diskutohet për zëvendësimin e mësimit të besimit me një kurs të etikës e të kulturës fetare, për njohjen ligjore të çifteve të faktit, për përkufizimin e ri të martesës e deri për klonimin e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.