Benedikti XVI shpreh keqardhjen e tij të thellë për shugurimet pa mandat papnor të
dy ipeshkvijve në Kinë: plagë e rëndë për unitetin e Kishës dhe shkelje e rëndë e
lirisë fetare
( 04. 05. 06 R. V. ) Papa Benedikti
XVI shpreh keqardhjen e tij të thellë për shugurimet pa mandat papnor të dy ipeshkvijve
në Kinë. Intervistë me doktor Joakuin Navarro-Valls: Papa mori, me keqardhje
të thellë, lajmin mbi shugurimin ipeshkvnor pa mandat papnor, të dy meshtarëve në
Kinën kontinentale. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë. Kështu shkruhet në një deklaratë,
që u publikua sot nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Joakuin Navarro-Valls. Është
fjala për një plagë të rëndë që i hapet unitetit të Kishës – pohon nota – duke sqaruar
se në raste të tilla parashikohen masa të ashpra ndeshkimore kanonike, ndërmjet të
cilave, skomunikimi apo shkishërimi, si për ata që shugurojnë pa mandat papnor, ashtu
edhe për ata që shugurohen. (Neni 1382 i Kodit të së drejtës Kanonike). Deklarata
flet për shugurimin ipeshkvnor të meshtarëve Jozef Ma Yinglin dhe Jozef Liu Xinhong,
përkatësisht më 30 prillin e kaluar në Kunming (në provincën e Junanit) dhe më 3 maj
në Vuhu (në provincën e Anhui). Por, ta dëgjojmë vetë drejtorin e Sallës së Shtypit,
Navarro–Valls, në mikrofonin e Radios sonë: “Sipas njoftimeve që kemi
marrë, ipeshkvijtë dhe meshtarët i janë nënshtruar – nga ana e organizmave jashtë
Kishe-presioneve të forta dhe kërcënimeve, për t’i detyruar të merrnin pjesë në shugurimet
ipeshkvnore të cilat, pa mandat papnor, janë të paligjshme e, veç kësaj, edhe në kundërshtim
me ndërgjegjën e tyre. Shumë prelatë kanë protestuar kundër këtyre presioneve, ndërsa
të tjerët janë detyruar, me dhimbje të thellë shpirtërore, të marrin pjesë në shugurimin
e paligjshëm. Jemi para një shkeljeje të rëndë të lirisë fetare, pavarësisht nga pretekstet
e përdorura me këtë rast, duke e paraqitur ngjarjen si përpjekje për t’u siguruar
ipeshkvij selive vakante. Selia e Shenjtë –vijon nota – ndjek me vëmendje rrugën
e mundimshme të Kishës katolike në Kinë e, pavarësisht nga disa veçanti të kësaj rruge,
mendonte e shpresonte se episode të tilla të dënueshme, i përkisnin tashmë së kaluarës.
Ajo e konsideron si detyrë të ngrejë zërin për të bërë të njohur vuajtjen e mbarë
Kishës katolike, posaçërisht të bashkësisë katolike në Kinë, të ipeshkvijve e meshtarëve
të kësaj Kishe që detyrohen, në kundërshtim me vullnetin e tyre, të marrin pjesë në
shugurime ipeshkvnore pa mandat papnor.