2006-05-03 17:31:44

Lajme shoqërore-politike: 3 maj


RealAudioMP3 Debati për çështjen iraniane do të vijojë sot në selinë e OKB-së në Nju Jork. Mbledhja e djeshme në Paris e pesë anëtarëve të përhershëm të OKB-së, përfshi edhe Gjermaninë, nuk doli me një deklaratë konkrete. Mbetet për t’u shënuar qëndrimi i Rusisë dhe i Kinës, vende të cilat nuk pranojnë kurrsesi sanksionet ndaj republikës islamike.


Situata në Iran si edhe vendimi i presidentit bolivian Morales për kombëtarizimin e hidrokarbureve bëri që çmimi i naftës në botë të rritet sërish. Dje në Londër çmimi për fuçi arriti në 74,97 dollarë, ndërsa në Nju Jork 74,70 dollarë.


Edhe sot në Irak, pikërisht në ditën kur u mblodh për herë të parë parlamenti i ri, pati 18 viktima, si pasojë e një atentati me kamikaze në një qendër rekrutimi në Faluzhë. Po ashtu në Bagdad, disa terroristë zbritën me forcë nga autobusi katër studentë dhe më pas i ekzekutuan.


Bashkimi Evropian i pezulloi bisedimet për hyrjen e Serbisë në Evropë për arsye se Beogradi nuk e ka mbajtur premtimin për dorëzimin e komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës Ratko Mladiq Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, në Hollandë.


Komisioni i ligjeve i parlamentit shqiptar miratoi disa ndryshime në projektligjin e konfliktit të interesave. Sipas këtyre ndryshimeve deputetit nuk do t’i lejohet më të ushtrojë detyrën e avokatit apo ekspertit të licensuar dhe këshilltarit ligjor, sepse këto janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.


Pas vendimit të Grupit negociator të Kosovës për krijimin e dy njësive komunale në Mitrovicë, njëra serbe dhe tjetra shqiptare, me qindra studentë dhe punëtorë morën pjesë sot në një manifestim proteste në Prishtinë, duke brohoritur “Jo nuk ndahet Mitrovica”. Bisedimet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve për statusin e Kosovës do të rifillojnë nesër në Vjenë.








All the contents on this site are copyrighted ©.