2006-05-02 17:30:19

“Dobësia e familjes është faktori kryesor që rrezikon breznitë e reja”: studiues nga mbarë bota, të thirrur nga Akademia Papnore e Shkencave, analizuan për pesë ditë me radhë këtë fenomen shqetësues


( 02. 05. 06 R. V. )‘Rini që zhduket? Solidaritet me të rinjtë dhe fëmijët në një epokë të trazuar’. Rreth kësaj teme u shkëmbyen mendime në asamblenë e 12-të plenare Akademisë Papnore për Shkencat Shoqërore, që përfundoi sot në Vatikan.
Me këtë rast sot në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u mbajt një konferencë shtypi, gjatë së cilës foli Meri Ejn Glendon, profesoreshë e së Drejtës pranë Universitetit të Harvardit, në SHBA dhe kryetare e Akademisë Papnore.
Kryetarja e Akademisë nënvizoi se përfundimet e plenares përbëjnë një ndihmesë të çmuar për magjisterin e Kishës, duke pasur parasysh se është hera e parë që vihet me kaq forcë theksi mbi situatën e sotme të të rinjve. Ideja kryesore e kësaj asambleje ishte t’i shprehte solidaritetin fëmijëve dhe të rinjve të mbarë botës në një epokë të trazuar si kjo e sotmja, në të cilën të rinjtë tronditen nga kriza shoqërore dhe ekonomike, nga humbja e identitetit e mbi të gjitha – siç nënvizon Benedikti XVI në mesazhin e tij drejtuar Akademisë - “janë shpesh të parët që vuajnë pasojat e zhdukjes së dashurisë e të shpresës”.
Në 30 referatet e paraqitura – vërejti profesoresha Glendon – e duhet të kujtojmë se Akademia ka edhe anëtarë jo katolikë – u thelluan shumë probleme, kryesisht ato që kanë të bëjnë me shtypjen dhe shfrytëzimin e fëmijëve e pastaj me dimrin demografik, me fenomenin që tashmë njihet me emrin “djepat e zbrazur”. U fol edhe për paaftësinë e të rriturve për të qenë prindër të vërtetë, për adoleshencën e zgjatur dhe për zbraztësinë shpirtërore që ndjejnë shpesh herë të rinjtë. Janë probleme, zgjidhja e të cilave nuk është aspak e lehtë – theksoi profesoresha Glendon – por – shtoi ajo - nuk duhet harruar se të rinjtë janë plot shpresa, aq sa mund të themi se nuk mbartin në vetvete vetëm probleme, por edhe zgjidhjen e këtyre problemeve, duke mbetur gjithnjë pasuria më e madhe që ka çdo shoqëri.
Në përfundim të Asamblesë, mbi bazën e materialeve të paraqitura gjatë punimeve, disa nga dikasteret papnore do të hartojnë dokumentin përfundimtar, duke përmbledhur në të problemet dhe rrugëzgjidhjet e mundshme. Ndihmohet kështu Kisha në misionin e saj për të dhënë dëshmi të humanizmit të vërtetë, të ndriçuar nga Ungjilli.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.