2006-05-02 17:16:03

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Atanasin, ipeshkëv e dijetar i Kishës


( 02. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Atanasi, i lindur në Aleksandri të Egjiptit në vitin 295, është figura më dramatike dhe më tronditëse në galerinë e Etërve të Kishës. Mbrojtës guximtar i ortodoksisë gjatë krizës ariane menjëherë pas Koncilit të Nikesë, e pagoi qëndrimin e tij heroik kundër herezisë së përhapur në atë kohë, duke u internuar pesë herë nga perandorët Kostantini, Kostanci, Juliani e Valenti, që përkrahnin Arion, një prift të dalë nga gjiri i kishës së Aleksandrisë, i cili duke mos pranuar se Krishti është Biri i Zotit e se është edhe ai vetë Zot, krijonte rrezikun ta godiste krishtërimin në zemër.
Në një botë që u bë papritmas ariane, sipas frazës së famshme të Shën Jeronimit – ishte ende në këmbë një luftëtar i madh, Atanasi, i ngritur në dinjitetin e ipeshkvit të selisë së famshme të Aleksandrisë kur ishte vetëm 33 vjeç. Shenjti shquhej për temperamentin e tij luftarak e – siç shkruante ai vetë – kur ishte fjala për të filluar betejën, i pëlqente të sulmonte i pari. Vetëm falë këtij guximi, mundi t’i përballojë akuzat e rënda që i bënë kundërshtarët, të cilët arritën deri atje, sa ta padisnin se kishte vrarë Arsenin ipeshkëv, i cili më pas u gjet i gjallë, i vetizoluar. U detyrua, kështu, të ikte shumë herë, për të shpëtuar jetën. Vitet e fundi të jetës i kaloi në shkretëtirë, pranë miqve të tij murgjër, të cilët ndonëse nuk i nënshtroheshin strukturave normale të organizimit shoqëror e kishtar, e ndjenin veten mirë në shoqëri të një ipeshkvi autoritar e të vendosur si Atanasi. Për ta ipeshkvi luftarak i Aleksandrisë shkroi një vepër të madhe, ‘Historinë e arianëve’, kushtuar pikërisht këtyre murgjërve, njerëz të cilëve nuk u pëlqente të përdornin shumë metafora, që i thoshin bukës bukë, që i thërrisnin me emrin e merituar kundërshtarët e që nuk i respektonin as perandorët, kur nuk ishin të denjë për respekt. Kështu shkruante Atanasi në këtë vepër, nga e cila kanë shpëtuar vetëm pak faqe. Ndër to mbrohet me një forcë të pakundërshtueshme e vërteta mbi fenë e krishterë, gjë që luajti një rol të dorës së parë për t’i shkëputur besimtarët nga kthetrat e barinjve të rremë.
Gjatë shtegtimeve të tij të panumërta, vizitoi edhe Romën e Trevirin, ku solli frymën e monakizmit egjiptian, si gjendje jete të organizuar në një mënyrë krejt origjinale në shkretëtirë. Bëri të njohur, kështu, në botën perëndimore, murgun ideal, Shën Anduen Abat, duke shkruar edhe jetën e shenjtit, që mund të konsiderohet si manifest i jetës murgare.







All the contents on this site are copyrighted ©.