2006-04-30 16:55:03

Kisha e Milanos dhe e Ramapuranit në Indi festojnë tre të Lum të rinj


( 30. 04. 06 R. V. )Sot - në dy kremtime solemne, ndër dy vende shumë larg nga njëri-tjetri: në Sheshin e Duomos të Milanos në Itali dhe në Ramapuram të Indisë, u ngritën në nderimet e elterit tre të lum të rinj. Janë meshtarët dioqezanë italianë, don Luigji Biragi, themelues i “Motrave Marçeline”, dhe Don Luigji Monza, themelues i “Institutit Shekullar të Motrave Apostulle të Dashurisë”, si dhe meshtari dioqezan indian, don Agostin Thevarparampil.
Për të dy lumnimet u kremtuan dy liturgji solemne, shoqëruar me ritin e beatifikimit. Liturgjinë soleme të kremtuar në Milano e kryesoi kryeipeshkvi, kardinali Dionigi Tetamanzi, në praninë e Legatit papnor, kardinalit Hosè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Liturgjinë solemne në Ramapuram, në dioqezën e Palai, e kryesoi ipeshkvi vendas, imzot Jozef Kallarangat.
Të dy kremtimet janë shprehje konkrete e dëshirës së Papës Benedikti XVI për t’i aktivizuar në mënyrë të dukshme kishat e veçanta në ritet e shpalljes të të lumëve të rinj. Këtë dëshirë, të shprehur që në fillim të Papnisë, Ati i Shenjtë e theksoi të enjten e kaluar në një mesazh drejtuar dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, përmes të cilit ripohon se pikat themelore për zbatimin korrekt të procedurave të lumnimeve dhe të shenjtërimeve, janë “Siguria për famën e shenjtërisë, prania e një mrekullie ‘fizike’ ose e një situate reale martirizimi”.
Në lumnimet e sotme u provua plotësisht pika e parë, që flet për famë të padiskutueshme të shenjtërisë të tre të Lumëve të rinj, të cilët iu shtuan sot Kishës katolike në dy kontinente. Për këtë flet mesazhi që i sjellin besimtarëve të sotëm. Po e kujtojmë përmbledhtas, duke nisur nga mesazhi i të Lumit Luigji Biragi, për të cilin na flet postulatori i çështjes së lumnimit, avokati Andrea Ambrozi:
- “I përvujtë, modest i peshuar e i urtë, ai e bekoi dhe deshi Kishën, shoqërinë, atdheun, familjen. Ungjillor në kuptimin e plotë të kësaj fjale, ndjeu dashuri atërore për të gjithë njerëzit, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet të varfërve e të pasurve, të diturve e të paditurve. Për ta, si bij të një Ati të vetëm, u lut e shkriu gjithë jetën.
Të njihemi me mesazhin e don Luigi Monxës për të cilin na flet postulatori i Çështjes së Lumnimit, Atë Luigji Mexadri:
- Mesazhi i të Lumit përmblidhet në dy fjalë: kalbja është veprimi i farës që vdes për të dhënë fryt. Është dhurata shëlbuese e Pashkëve. Dashuria është forca e Zotit, për të depërtuar në një botë pagane. Prandaj ai u përpoq të ndizte shkëndija të shumta në këtë botë, për ta rinuar nga brënda.
Së fundi, nga India, na flet zevendës-postulatori i çështjes së lumnimit, atë Gjani Kalifanos:
- I lumi Agostin Thevarparampil jo vetëm që ia kushtoi gjithë jetën shërbimit të të varfërve, por edhe jetoi si ata. Ai i la trashigim Kishës dhe popullit indian dashurinë e njeriut që bëhet gjithçka për të gjithë.

  







All the contents on this site are copyrighted ©.