2006-04-29 16:25:53

Rubrika “Shenjtorët e Javës”


( 30. 04. 06 R. V. )Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën III të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Piun V, papë dhe Shën Kuirinin martir .
Nesër e hënë, do të përkujtohen Shën Jozefi punëtor dhe Shën Jeremia profet. Festa, kushtuar punëtorëve, na fton t’i lutemi Zotit ta bekojë veprën e duarve tona.
Të martën e ardhshme do të përkujtohet Shën Atanasi, ipeshkëv i Aleksandrisë e doktor i Kishës. Na kujton se për të besuar, duhet t’i hapim zemrat për dhuratën e Zotit. Hyji ditë për ditë na dhuron praninë e Krishtit në fe e në Eukaristi. E Jezusi është buka e vërtetë, që e ushqen jetën tonë për amshim. T’ia kushtojmë Atij krejt vetveten.
Të mërkurën e ardhshme Kisha do të kremtojë festën e Shën Filipit e Shën Jakut të vogël, Apostuj si dhe të Shenjtorëve Eveci, Aleksandri e Teoduli, martirë, të cilët na kujtojnë se Jezusi erdhi në botë për të bërë që ne ta njohim fytyrën e Atit: është Krishti Rruga që duhet përshkruar për të mbërritur tek Ati qiellor; Jeta e Hyjit që na komunikohet, e Vërteta që na tregon kuptimin e jetës sonë tokësore.
Të enjten do të përkujtohen Shën Floriani dhe Shën Antonina martire, festa e të cilëve na kujton se të krishterët duhet të impenjohen për shëlbimin e mbarë popujve, sepse të gjithë janë të thirrur për të besuar në Jezu Krishtin.
Të premten e ardhshme do të përkujtohen Shën Angjelini dhe i Lumi Nunci Sulpricio i Napolit, që na kujtojnë se të hash korpin e Krishti e të pish gjakun e Tij, do të thotë të bëhesh një gjë e vetme me Të. Të mendosh si Ai. Të zgjedhësh si ai. Të duash si Ai.
Të shtunën do të kremtohen Shën Mariani e Shën Jaku, martirë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se të jesh si krishterë do të thotë ta ndjekësh Jezusin, ta pranosh fjalën e Tij, fjalë e jetës së amshuar dhe ta lesh veten të përtrihesh ditë për ditë nga Shpirti i dashurisë që të çon drejt Atit.








All the contents on this site are copyrighted ©.