2006-04-28 17:43:20

“Mungesa e dashurisë është shkaku i parë i zgjidhjes së martesave dhe pakësimit të lindjeve”- thekson Papa në mesazhin drejtuar Akademisë Papnore për Shkencat Shoqërore


( 28. 04. 06 R. V. ) RealAudioMP3 “Mungesa e dashurisë është shkaku i parë i zgjidhjes së martesave dhe pakësimit të lindjeve në vendet e industrializuara”: këtë theksoi Papa Benedikti XVI në mesazhin drejtuar Akademisë Papnore për Shkencat Shoqërore, mbledhur që sot në Vatikan në asamblenë e 12-të plenare.
E fëmijët janë shpesh të parët që vuajnë pasojat e zhdukjes së dashurisë e të shpresës – vijon të nënvzojë Ati i Shenjtë, i cili më pas vë theksin mbi problemet më të mprehta që trondisin sot fëmijët dhe mbi shkakun e djepave të zbrazët. Dokumenti i Papës i drejtohet profesoreshës Meri Ejn Glendon, kryetare e Akademisë Papnore, me rastin e asamblesë së 12-të plenare me temë ‘Rini që zhduket? Solidaritet me të rinjtë dhe fëmijët në një epokë të trazuar’, që filloi sot punimet, për të përfunduar më 2 majin e ardhshëm në Vatikan.
Në një moshë delikate – denoncon Papa – më të vegjëlve shpesh u mungon udhëheqja morale nga ana e botës të të rriturve, gjë që dëmton rëndë zhvillimin e tyre intelektual e shpirtëror. Shumë fëmijë – vëren Ati i Shenjtë – rriten në një shoqëri që e ka harruar Zotin dhe dinjitetin e pacënueshëm të çdo njeriu. E jo vetëm kaq. Papa pohon se përballë proceseve të globalizimit, fëmijët gjithnjë më shpesh rrezikohen nga një vizion thjeshtë materialistik i universit e i jetës. Por mosha e njomë – vijon Papa – për vetë natyrën e vet, priret nga e mbinatyrshmja. Fëmijët, mbi të gjitha, duhen dashur – bën thirrje Ati i Shenjtë – në mënyrë që ta kuptojnë se nuk janë mbi tokë rastësisht, por për hir të një dhurate që është pjesë e planit të dashurisë së Hyjit. Prandaj prindërit dhe edukatorët janë të thirrur të zgjedhin një projekt jete që është në gjendje ta dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta.
Në mesazhin e Papës theksohet edhe plakja e popullsisë në shoqëritë e vendeve të industrializuara, fenomen ky, që shoqërohet me mungesën e numrit të nevojshëm të të rinjve që përtërijnë popullsinë. Benedikti XVI e di se në bazë të këtij problemi janë disa shkaqe të ndërlikuara, por – nënvizon - në fund të fundit duhet të pranojmë se shkaqet kryesore janë të natyrës morale e shpirtërore. E një gjendje e tillë lidhet me defiçitin e fesë, të shpresës e të dashurisë. Prandaj, duke rikujtuar Enciklikën e tij të parë ‘Zoti është dashuri’, Papa pohon se dashuria, për natyrën e vet, drejtohet nga amshimi. Ndoshta – lexojmë në mesazh - pikërisht mungesa e kësaj përmase krijuese të dashurisë, na shpjegon shkakun pse shumë çifte bashkëjetojnë, pa u martuar, pse shumë martesa dështojnë e pse përqindja e lindjeve ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Papa i nxit anëtarët e Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore ta ndihmojnë Kishën në misionin e saj për të dhënë dëshmi të humanizmit të vërtetë, të ndriçuar nga Ungjilli.
Duke folur për temën e lirisë njerëzore, Shenjtëria e Tij vëren se kur kjo vihet në rrezik, të rinjtë e ndjejnë fuqimisht mungesën e saj dhe bëhen të paaftë për t’u impenjuar në realizmin e idealeve që i japin formë jetës së tyre si individë e si anëtarë të shoqërisë. Liria shpirtërore – vijon Shenjtëria e Tij – është kusht për rritjen e vërtetë njerëzore. Ata që besojnë se Ungjilli ndriçon çdo aspekt të jetës -përfundon Benedikti XVI – nuk duhet të harrojnë kurrë kundërvënien themelore ndërmjet së mirës e së keqes. Feja, që jetohet me dashuri dhe u transmetohet breznive të reja – pohon Papa – është element thelbësor për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë, që mbron solidaritetin ndërmjet breznive.
Në asamble, mbledhur në Vilën e Piut IV, marrin pjesë akademikë papnorë, specialistë dhe vëzhgues të rinj nga vende të ndryshme të botës. Me bilançin e parë të takimit, organizuar nga profesor Pierpaolo Donati i Universitetit të Bolonjës, do të njihemi të martën e ardhshme përmes një konference në Sallën e Shtypit ‘Gjon Pali II’ të Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.