2006-04-28 18:43:14

Lajme shoqërore-politike: 28 prill


RealAudioMP3 Komisioni kombëtar “Drejtësi dhe paqë i Kishës Katolike të Pakistanit i kërkoi qeverisë të rrisë besueshmërinë e saj duke i vënë vetes si detyrë respektimin e të drejtave njerëzore në vend. “Qeveria - thuhet në letrën e Laurence Saldahna , kryeipeshkëv i Lahores, - po kandidohet për në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, por detyrimet e saja për mbrojtjen e lirive njerëzore këtu, janë të turbullta.


“Të parandalohen aksidentet në punë.” Me këtë synim Organizata ndërkombëtare e punës kremtoi sot Ditën Botërore për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, qe këtë vit pati si temë: “Një punë dinjitoze – puna e sigurtë – sëmundja e AIDS-it.” Dita botërore për herë të parë u promovua nga punëtorët amerikanë dhe kanadezë në 1989.


Për herë të parë, pas 177 vjetësh, në Brazil një grua, Ellen Gracie Northfleet, u emërua në postin e presidentes së Gjykatës të Lartë Federale. Lindur në Rio de Zhaneiro dhe avokate me profesion, Northfleet është tani personi i katërt për nga rëndësia në Brazil.


Skadoi sot ultimatumi i OKB-së dhënë Iranit për pezullimin e programit bërthamor. El Baradei, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë i përcolli Këshillit të Sigurimit raportin e fundit mbi situatën. Nga ana tjetër, presidenti Ahmadinexhad përsëriti se nuk i druhet vendimeve të OKB-së.


Presidenti i Afganistanit Hamid Karzai u bëri thirrje luftëtarëve talebanë të heqin dorë nga dhuna dhe të bashkohen me ushtrinë e rregullt. “Dëshiroj të bashkohen me ne, me gjithë armët që kanë, dhe të vihen në shërbim të bashkëkombasve të tyre.” - shtoi presidenti afgan.


U lirua me dorëzanie kryeredaktori egjiptian i televizionit Al Xhazira. Gazetari ishte arrestuar dje për përhapje lajmesh të rreme në lidhje me atentatet e Dahabit si dhe për prishje të emrit të mirë të Egjiptit në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.