2006-04-27 17:39:56

Çështjet e shenjtërimit duhet të përgatiten mbi baza teologjike e normative të pakundërshtueshme: këtë kërkon Benedikti XVI nga dikasteri për Çështjet e Shenjtorëve


( 27. 04. 06 R. V. )"Siguria për famën e shenjtërisë, prania e një mrekullie ‘fizike’ ose e një situate reale martirizimi”: këto janë pikat themelore për zbatimin korrekt të procedurave të lumnimeve dhe të shenjtërimeve, që Benedikti VI i ripohon në një mesazh drejtuar dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve.
Që në kohët e para të krishterimit, Kisha i ka kujtuar me nderim të thellë shenjtorët. Për këtë arsye, në rrjedhë shekujsh, është thelluar gjithnjë më shumë vëmendja lidhur me procedurat që i çojnë shërbëtorët e Zotit në nderimet e elterit. E pikërisht mbi këto procedura të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve flet edhe Papa, duke marrë në shqyrtim tri tema, që ishin në qëndër të mbledhjes plenare të Dikasterit vatikanas. Së pari Ati i Shenjtë prek temën e udhëzimeve që duhet të japë Kongregata në fjalë për zhvillimin e asaj që njihet si ‘faza dioqezane’ e një procesi, e cila synon në njohjen e shenjtërisë. Duke kujtuar ndryshimin thelbësor ndërmjet lumnimit dhe shenjtërimit si dhe dëshirën e tij për t’i aktivizuar në mënyrë të dukshme kishat e veçanta në ritet e shpalljes të të lumëve të rinj, Benedikti XVI pohon se që nga procesi dioqezan “Çështjet duhen drejtuar dhe studiuar me shumë kujdes, duke kërkuar me vëmendje të jashtzakonshme të vërtetën historike, përmes dëshmive gojore dhe dokumentave, sipas frymës së Kushtetutës Apostolike të vitit 1983, me të cilën Gjon Pali II i reformoi këto procedura".
Ipeshkvijtë – shkruan Ati i Shenjtë – kanë detyrë të vlerësojnë qartë në se kandidatët për nderimet e elterit gëzojnë vërtetë një famë të përhapur shenjtërie, mrekullishë ose martirizimi. Përndryshe - vëren Papa – është e qartë se nuk mund të fillojë një çështje lumnimi apo shenjtërimi, në se mungon fama e shenjtërisë, e vërtetuar me prova, edhe në se bëhet fjalë për njerëz që janë dalluar për besnikëri të patundur ndaj Ungjillit ose për merita të tjera të mëdha kishtare apo shoqërore. Edhe për raste që kanë të bëjnë me mrekulli – sipas temës që u diskutua në mbledhjen plenare – Benedikti XVI uron që argumenti të thellohet në dritën e traditës së Kishës, të teologjisë së sotme e të arritjeve më të besueshme të shkencës. E pasi të jetë sqaruar mirë se kemi të bëjmë me një ‘mrekulli fizike’ dhe jo vetëm ‘morale’, fjala vendimtare i takon teologjisë.
Tema e tretë është martirizimi. Në këtë rast Benedikti XVI kërkon një vlerësim tepër të thelluar. Në se shkaku që çon në martirizim mbetet i pandryshueshëm, duke pasur gjithnjë Krishtin burim e model, nuk duhet të harrojmë se – vëren Shenjtëria e Tij – rrethanat kulturore të martrizimit dhe strategjitë e persekutimit kanë ndryshuar. Vërejmë se gjithnjë më pak vihet në dukje armiqësia kundër fesë së krishterë ose kundër një sjelljeje që lidhet me virtytet e krishtera, ndërsa bëhen përpjekje për të gjetur pretekste të ndryshme, për shembull të natyrës politike ose shoqërore. Prandaj – vijon Papa – është e nevojshme të mblidhen prova të padiskutueshme, që dëshmojnë gatishmërinë për martirizim, siç është derdhja e gjakut dhe pranimi i plotë i flijimit në emër të Krishtit nga ana e martirit, por është po aq e nevojshme edhe që, drejtëpëdrejtë ose tërthorazi, në mënyrë gjithnjë moralisht të qartë, të vërtetohet se persekutuesi ka vepruar i shtyrë nga urrejtja për fenë. Në se çalon ky element, nuk mund të flitet për martirizim të vërtetë, siç na mëson doktrina teologjike dhe juridike e Kishës. Benedikti XVI përfundon duke ripohuar një parim të sanksionuar nga disiplina aktuale, parimin kolegjialitetit të propozuar nga Koncili II i Vatikanit, mbi bazën e të cilit ipeshkvijtë e interesuar për një proces shenjtërimi, duhet të lidhen më ngusht me Selinë Apostolike, kur është fjala për të trajtuar Çështet e Shenjtorëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.