2006-04-27 17:39:26

Audienca e Benediktit XVI me Komisionin Papnor Biblik, në përfundim të sesionit plenar të përvitshëm të këtij institucioni, përqëndruar tek lidhjet ndërmjet Biblës dhe moralit


( 27. 04. 06 R. V. )“Ligji i Zotit nuk e zhduk lirinë e njeriut” – këtë theksoi Benedikti XVI në fjalimin drejtuar 25 anëtarëve të Komisionit Papnor Biblik, të cilët i priti sot paradite në audiencë në Sallën e Papëve në Vatikan, në përfundim të sesionit plenar të përvitshëm të këtij institucioni, themeluar në vitin 1902 nga Papa Leoni XIII dhe reformuar nga Pali VI, që e lidhi me Kongregatën për Doktrinën e Fesë, prefekti i së cilës është edhe kryetar i Komisionit.
Ishte një takim i përzemërt i Papës Benedikti XVI me biblistët, të cilët i njeh personalisht që në vitet kur drejtonte Komisionin. Papa u shprehu mirënjohjen dhe e vlerësoi shumë punën e tyre në shërbim të Kishës, për të mirën e shpirtrave, ashtu si vlerësoi edhe argumentin, tepër të rëndësishëm, ‘lidhja ndërmjet Biblës dhe moralit’ që u thellua në mbledhjen plenare. Në se dëshira e njeriut, që në zanafillë, është të jetë i lumtur – vërejti Benedikti XVI – sot shumëkush mendon se mund ta realizojë plotësisht jetën në mënyrë krejt të pavarur, pa pyetur fare për Zotin e për ligjin e tij. Madje disa arrijnë të teorizojnë një etikë thjeshtë njerëzore, një sundim absolut të arsyes e të lirisë në fushën e normave morale. Për ndjekësit e këtij morali laik, njeriu si qenie e arsyeshme, jo vetëm mundet, por edhe duhet ta vendosë lirisht vlerën e sjelleve të veta. Bindje kjo e gabuar – nënvizoi Ati i Shenjtë – e bazuar mbi një konflikt të supozuar ndërmjet lirisë njerëzore dhe çdo forme të ligjit.
Në të vërtetë, Krijuesi e ka shkruar brënda nesh ‘ligjin natyror’, pasqyrim i idesë së tij krijuese në zemrën tonë, si busull e si masë shpirtërore e jetës sonë”
Prandaj, ashtu si na tregojnë Shkrimi Shenjt, Tradita dhe Magjisteri i Kishës, thirrja dhe realizimi i vërtetë i njeriut nuk mund të arrihen duke mos pranuar ligjin e Zotit, por duke jetuar sipas ligjit të ri, në hir të Shpirtit Shenjt, që shfaqet në fenë e cila vepron përmes dashurisë.
E pikërisht duke e mirëpritur dashurinë që vjen nga Zoti (Deus Caritas est – Zoti është dashuri) realizohet plotësisht liria e njeriut. Ligji i Hyjit nuk e pakëson, as nuk e zhdukë lirinë e njeriut, por, përkundrazi, e garanton dhe e promovon”.
Model i një sjellje të tillë morale, është Jezu Krishti, në të cilin realizohet përkimi i plotë i vullnetit vetjak me vullnetin e Hyjit Atë. Kjo etikë, në takimin me Krishtin, i cili na jep besëlidhjen e re, gjen përkryerjen e vet të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.