2006-04-26 17:10:59

U publikua programi i hollësishëm i shtegtimit të Papës Benedikti XVI në Poloni nga 25 deri më 28 maj


( 27. 04. 06 R. V. )Është shtegtimi i dytë jashtë Italisë i Benediktit XVI, pas udhëtimit të vitit të kaluar në Gjermani për DBR-së.
Vizita do fillojë më 25 maj në Varshavë, në katedralen e Shën Gjonit, ku Ati i Shenjtë do të takohet me klerin, ndërsa pasdite, pas vizitës së mirësjelljes tek presidenti polak Leh Kacinski, do të marrë pjesë në takimin ekumenik, që do të mbahet në Kishën e Trinisë Shenjte.
Të nesërmen paradite, Papa do të kremtojë Meshën shenjte në Sheshin Pilsudski, ndërsa pasdite do të takohet me rregulltarët dhe përfaqësuesit e Shenjtërores mariane të Jasna Gorës në Çestokovë.
E shtuna, 27 maj, është dita e vizitës në Vadovice, vendlindje e Papës Gjon Pali II. Benedikti XVI do të vizitojë shtëpinë ku lindi Karol Vojtila dhe do të takohet me popullatën vendase në Sheshin Rinek. Më pas do të vizitojë Shenjtëroret e Zojës të Kalvaria-Zebrydovskas dhe të Mëshirës Hyjnore në Krakovi. Pas vizitës në Katedralen e Vavelit, Benedikti XVI do të takojë të rinjtë polakë në parkun e Blonies në Krakovi.
Të dielën paradite, më 28 maj, do të kryesojë Meshën shenjte në sheshin e Blonies.
Shtegtimi do të përfundojë me vizitën e shumpritur në kampet e përqëndrimit nazist të Aushvicit e të Birkenaut, ku Benedikti XVI do të lutet për viktimat e mizorisë naziste. Papa do të jetë në Vatikan mbrëmjen e 28 majit.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.