Sot u festua një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë: Festa
e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës.
( 26. 04. 06
R. V. )Në Qytetin e Veriut që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të
veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan
të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katoliçizëm
i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të
kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të
shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm
një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpëri nën gur për shekuj e
shekuj. E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e
sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri
i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake.
E mbartur nga ëngjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan,
afër Romës. Gojëdhëna tregon edhe se Figuren e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë,
rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e
kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë e tyre.
Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte
zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin
mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve
drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve, nisi të
nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me
të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan. Figurja e Zojës është e pikturuar
mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra
dhe e gjërë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur
vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar
krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe
ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejtësisht flokët. Koha kur u krijua kjo vepër
arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri. Në se nisemi nga stili i punimit, do të
përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë
dëshirave të shprehura deri më sot nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë
vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit. Kjo
figure, pra, nderohej në kishëzën dy herë të rrenuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa,
një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak
shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u
rrenua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për
ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O
Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna
e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes
Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”. E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua
me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të
dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë
se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë
e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që
tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin
e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit
të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”. E ndërsa besimtarët luteshin
e luten në Kishën rrëzë Kështjellës, mendja nuk mund të mos u fluturojë në Gjenacan,
atje ku Zoja Mërgimtare, si qindra mijëra shqiptarë në kohë të lashta e të reja, ndërmjetëson
përsëri për fatet e Kombit shqiptar.