2006-04-25 18:18:00

Një vit më parë, Papa Benedikti XVI u drejtoi feve të ndryshme thirrjen të bashkëpunonin për paqen. Forca e këtyre fjalëve pas atentatit në Egjipt


( 25. 04. 06 R. V. )Përballë atentatit të djeshëm terrorist në Egjipt, tingëllojnë tepër aktuale fjalët që pikërisht një vit më parë, më 25 prill të vitit 2005, Benedikti XVI ua pati drejtuar përfaqësuesve të feve të ndryshme: ishte një thirrje energjike për të ecur së bashku në rrugën e dialogut e të paqes.

 
Pikërisht një vit më parë, të nesërmen e fillimit të papnisë, Benedikti XVI u takua me delegatët e kishave të krishtera, të bashkësive kishtare dhe të traditave të tjera fetare. Ishte një ngjarje me domethënie të veçantë. Me këtë rast Papa u kërkoi me forcë përfaqësuesve të feve të ndryshme të punojnë së bashku për paqen. E këtë thirrje e përsëriti, më pas, shumë herë gjatë gjithë vitit të parë të papnisë së tij. Fjalët e shqiptuara nga Papa një vit më parë, tingëllojnë tepër aktuale, në sa mësohet se një atentat i ri, pas sa e sa atentateve të tjera, godet njerëz të pafajshëm. Në audiencën me përfaqësuesit e feve të tjera, në Sallën Klementine në Vatikan, Papa i pati siguruar të gjithë se Kisha do të impenjohet për ndërtimin e urave ndërmjet ndjekësve të të gjitha feve. Promovimi i paqes – ka theksuar Benedikti XVI gjatë gjithë vitit të parë të Papnisë së Tij, është impenjim i domosdoshëm për të gjithë besimtarët. E që më 25 prill të vitit 2005 tregoi yllin e dritës, dialogun ndërmjet feve:
“Në fillim të papnisë sime ju drejtoj juve dhe të gjithë besimtarëve të traditave fetare që përfaqësoni, ashtu si dhe të gjithë atyre që e kërkojnë me zemër të sinqertë të vërtetën, një ftesë të fuqishme për t’u bërë së bashku mjeshtër të paqes, përmes impenjimit reciprok për mirëkuptim, respekt e dashuri”.
E pikërisht së Vërtetës, Papa ia kushtoi edhe Mesazhin e Tij të parë për Ditën Botërore të Paqes. Nga ana tjetër, gjithnjë më 25 prillin e kaluar, Benedikti XVI vërente se bota e sotme tronditet vazhdimisht nga konfliktet, nga dhuna e nga lufta, ndërsa dëshiron nxehtësisht paqen, një paqë që, mbi të gjitha, është dhuratë e Zotit. Paqja – pohoi Shenjtëria e Tij në takimin me pëfaqësuesët e feve të ndryshme – është një detyrë, për realizmin e së cilës janë të thirrur të gjithë njerëzit e sidomos, ata që praktikojnë një besojmë fetare.
Në atmosferën e trishtuar, që pason atentatin në Dahab, Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët i drejton një telegram ngushëllimi Nuncit Apostolik në Kairo, imzot Fitcgjerald.
Me dhimbje të thellë – shkruhet në telegram – morëm lajmin tragjik të atentatit terrorist në qytetin e Dahabit, që shkaktoi humbjen e shumë jetëve njerëzore dhe plagosjen rëndë të shumë njerëzve të pafajshëm, ndërmjet të cilëve, shumë turistë.
Me fe të gjallë, i drejtojmë Zotit të gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm lutjet tona të përbashkëta që t’i pranojë në pushimin e pasosur viktimat e t’u japë forcë e guxim të gjithë atyre që vuajnë e vajtojnë të dashurit e vdekur.
Në përfundim të telegramit, nënshkruar nga kryetari i Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, Imzot Agostino Marketo, shprehet solidariteti me të gjithë ata që duhet të përballojnë pasojat e kësaj goditjeje të re që i bëhet industrisë turistike egjiptiane, lokomotivë e ekonomisë së vendit në dobi të të gjithë popullatës.







All the contents on this site are copyrighted ©.