2006-04-25 19:16:37

13-vjetori i vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri. Në përkujtim të asaj vizite Ministri i Jashtëm i Vatikanit, Imzot Gjovani Lajolo vizitoi Vendin e Shqipeve


Përfundoi sot vizita disaditore e Ministrit të Jashtëm të Vatikanit Imzot Gjovani Lajolos në Shqipëri. Është domethënëse dhe ndoshta jo krejt e rastësishme, se kjo përkoi me 13-vjetorin e vizitës historike të Gjon Palit të II. Këtu duhet vënë në dukje se ka një ndryshim të madh mes kushteve të atëhershme fetare, shoqërore dhe politike në të cilat u zhvillua vizita a Papës Wojtila dhe situatës së sotme në vend. Kisha shqiptare në 1993 nuk kishte ende ipeshkvijtë e saj ndërsa sot përparimet janë të dukshme, edhe pse ungjillizimi lë ende për të dëshiruar.
Ishte Papa Gjon Pali II ai që në praninë e së Lumes Nënë Terezë vendosi gurët e parë të Kishës Katolike Shqiptare me shugurimin e ipeshkvijve të rinj Imzot Frano Illisë, Imzot Zef Simonit, Imzot Robert Ashtës o.f.m. dhe Imzot Rrok Mirditës.
Vizita e Imzot Lajolos ishte, në një farë kuptimi, korrja e fryteve të ringjalljes së Kishës Shqiptare. Për të nënvizuar këtë ringjallje, Ministri i Jashtëm i Vatikanit, sikurse edhe Gjon Pali i II, u ndal te Shenjtnorja e Zojës së Këshillit të Mirë, asokohe gërmadhë, së cilës ipeshkvijtë shqiptarë ndër shekuj i patën besuar fatin e Kishës dhe të popullit tonë.
Kjo ripërtëritje e Kishës në Shqipëri vjen pas një periudhe të gjatë persekutimi e martirizimi, të cilën Selia e Shenjtë e vlerëson lart si shfaqje të besnikërisë së klerit katolik shqiptar ndaj Ungjillit të Krishtit dhe Katedrës së Shën Pjetrit. E këtë mirënjohje Imzot Lajolo e shprehu edhe duke thënë uratë te varret ku pushojnë tashmë disa prej prelatëve të Kishës sonë e në mënyrë të veçantë te varri i Kardinal Koliqit.
Por mirënjohja ndaj klerit katolik dhe kontributit të tij në bashkëjetesën civile në Shqipëri u shpreh edhe nga ana e autoriteteve shtetërore. Kështu Presidenti i Republikës, z.Alfred Moisiu, i dha Imzot Rrok Mirditës urdhërin Nënë Tereza, pikërisht të asaj Nënë Tereze që me praninë e saj të përvuajtur në shugurimin e ipeshkvijve të parë të demokracisë, i dha ngjyra kombëtare lulëzimit të fesë në Shqipëri.
Para 13-vjetësh Ati i Shenjtë u thoshte shqiptarëve në Sheshin Skënderbej se nuk do të ishin të vetëm. Sot, Imzot Lajolo, në vizitën që i bëri kreytares së parlamentit shqiptar z. Jozefina Topalli, përsëriti se Selia e Shenjtë do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë për hyrjen në Evropë, duke vënë edhe një herë në pah, përkatësinë historike të vendit të Gjergj Kastriotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.