2006-04-24 13:39:41

“Shenjtorët e Javës”


( 23. 04. 06 R. V. )Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën II të Pashkëve kushtuar Mëshirës Hyjnore; përkujtoi edhe Shën Gjergjin martir, Shën Adalbertin, ipeshkëv i Pragës e martir dhe të lumen Maria Gabriela Sagedu, virgjër çisteçense.
Nesër e Hënë, do të përkujtohet Shën Fedeli nga Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe e Lumja Maria Elizabeta Heselblad, themeluese e rregulltareve brigjidine. Leximet liturgjike të festës së tyre na kujtojnë se në bisedën me Jezusin, Nikodemi kupton se për të hyrë në mbretërinë e Zotit, duhet të rilindësh: e kjo realizohet përmes gurrës së Pagëzimit, ku njeriu rilind nga uji e nga Shpirti Shenjt.
Të Martën e ardhshme do të përkujtohet Shën Marku Ungjilltar, bashkëpunëtor i Shën Palit, mik i ngushtë i Shën Pjetrit. Shenjti na la Ungjillin e tij, përmes të cilit, me stil të thjeshtë, por të fuqishëm, na transmeton risinë e lajmit të mirë të shëlbimit.
Të Mërkurën e ardhshme Kisha kremton festën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Mijëra besimtarë priten, si çdo vit, në kremtimet e rastit tek Shenjtërorja kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa, kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë.
Të enjten do të përkujtohet Shën Simeoni, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir, që me jetën e tij na kujton se Zoti është forca e të ligshtëve e se ta dëshmosh Jezusin, Birin e Hyjit, është detyra më e lartë për çdo besimtar.
Të Premten e ardhshme do të përkujtohen shenjtorët Pjetri Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Luigji Grinjon de Monfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Zojës së Bekuar. Në festën e tyre na kujtojnë se Jezusi me pesë bukë e dy peshq, ngiu një turmë të tërë. Të ushqyer nga Eukaristia, të krishetrët bëhen shpirti i botës. Janë në botë si në burg, por pikërisht ata e mbështesin botën.
Të Shtunën do të kremtohet Shën Katerina e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Italisë dhe e Evropës, e cila me jetën e saj tregoi se vetëm dashuria e pasionuar për Krishtin e Kryqëzuar i sjell dritën e Zotit të ngjallur Kishës e shoqërisë civile.








All the contents on this site are copyrighted ©.