2006-04-24 17:03:21

Dje, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Papa kujtoi me nderim të thellë Gjon Palin II që e themeloi festën e Mëshirës Hyjnore
Urimet për Kishat e Lindjes që kremtojnë Pashkët


RealAudioMP3 ( 24. 04. 06 R. V. )Në ditën e kremtimit të festës së Mëshirës Hyjnore, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI kujtoi me nderim të thellë Gjon Palin II, që e themeloi këtë festë në të Dielën e parë pas Pashkëve. Pastaj Ati i Shenjtë uroi Kishat e Lindjes të cilat e kremtuan dje Ngjalljen e Zotit.
Festa e Mëshirës Hyjnore dhe Pashkët, që u festuan dje në Kishat e Lindjes, ishin dy kremtimet që frymëzuan reflektimin e Papës para lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur përsëri sa më s’zinte me besimtarë e shtegtarë nga të katër anën e botës.
Papa e nisi reflektimin nga rrëfimi i Ungjillit sipas Shën Gjonit për Krishtin e ngjallur, që iu duk nxënësve të mbyllur në Çenakull “të parën ditë pas së shtunës” si edhe, në të njëjtin vend, tetë ditë më pas, duke dashur t’u tregojë që në fillim ritmin javor të Kishës në kremtimin e misterit të Pashkëve çdo të diele, ditë që me të drejtë quhet edhe ‘Dita e Zotit’.
Më pas Ati i Shenjtë u ndal tek kujtimi i shenjave të kryqëzimit të cilat, sipas tregimit të ungjilltarit, dalloheshin qartë në Korpin e lumnuem të Krishtit:
“Këto plagë të shenjta, ndër duar, ndër këmbë e në kraharor, janë burim i pashterrshëm feje, shprese e dashurie për të gjithë, posaçërisht për shpirtrat që kanë më shumë etje për Mëshirën Hyjnore”.
Prej këndej u frymëzua edhe Gjon Pali II i cili, duke vlerësuar përvojën shpirtërore të rregulltares së përvujtë, motrës Faustina Kovalska - vërejti Benedikti XVI – shprehu dëshirën që e Diela pas Pashkëve t’i kushtohej në mënyrë të veçantë Mëshirës Hyjnore. E Provania Hyjnore deshi që ai t’i mbyllte sytë për dritën e kësaj toke pikërisht natën e kësaj feste. Misteri i dashurisë përdëllyese ishte gjithnjë në qendër të papnisë së Tij – nënvizoi Benedikti XVI - duke kujtuar më pas edhe Enciklikën Dives in misericordia si dhe fjalët e shqiptuara nga Papa Vojltila ditën e shugurimit të Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore në Krakovi, më 17 gusht të vitit 2002: “Sa nevojë ka bota e sotme për Mëshirën Hyjnore”, duke vënë kështu në dukje – vërejti Benedikti XVI – se kulti i Mëshirës Hyjnore nuk është devocion i dorës së dytë, por përmasë e fesë dhe e lutjes të të krishterit.
Më pas mendimi i Papës shkoi tek vëllezërit e Kishave të Lindjes, që i kremtuan dje Pashkët.
Christos anesti! Christos vaskries! – Krishti u ngjall! – i përshëndeti Papa – dhe në vijim theksoi se në atmosferën gazmore të këtyre ditëve, nuk mund të mos kujtonte se shumë nga këto popullsi, në Serbi, Rumani e Bullgari, vuajnë për shkak të përmbytjeve të ditëve të kaluara. Jam pranë tyre me lutje – shtoi Ati i Shenjtë - dhe uroi me gjithë zemër që, në saje të ndihmesës të të gjithëve, të mund t’i kapërcejnë këto çaste të vështira”.
Së fundi, përshëndetjet në gjuhët e dhjetra mijëra shtegtarëve, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit: ‘Jeni vërtetë shumë’ – tha me të qeshur Papa, në sa lexonte listën e gjatë të qyteteve e të famullive italiane. Në Shesh, ku binte menjëherë në sy një Figurë e Mëshirës Hyjnore, ishte edhe një grup polakësh, ardhur pikërisht nga shentërorja e Krakovisë. “Bashkohem shpirtërisht me ju – u tha Papa – dhe kërkoj hirin e Mëshirës Hyjnore për Kishën dhe për botën mbarë”. Ndërmjet parullave që mbanin besimtarët, ishte edhe një kushtuar Gjon Palit II, në të cilën shkruhej: “Shenjt menjëherë”. Në përfundim të këtij takimi tepër të ngrohtë, plot tinguj muzikorë, brohoritje e duartrokitje, para se t’u uronte të gjithëve një të dielë e një javë të gëzuar, Papa theksoi edhe:“Kujtoj se pikërisht sot Shoqëria italiane e Shën Vinçenc de Paolit nis, me një Ditë sensibilizimi kushtuar parandalimit të varfërisë dhe analfabetizmit, fushatën kombëtare 2006 titulluar: “Ndihmomëni të studioj, është në dobi të të gjithëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.