2006-04-24 16:59:07

Benedikti XVI në audiencën e sotme me ipeshkvijtë e Ganës, theksoi: martesa e krishterë nuk mund të zevendësohet me forma të tjera bashkimi


( 24. 04. 06 R. V.)Martesa e krishterë nuk mund të zevendësohet kurrë me forma të tjera bashkimi të burrit me gruan: këtë theksoi Benedikti XVI në audinecën me ipeshkvijtë e Ganës, të cilët i priti sot në Vatikan në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina’, duke i ftuar t’i kushtojnë vëmendje të dorës së parë edukimit të krishterë, për t’iu kundërvënë kështu praktikave të bazuara mbi bestytnitë.
Gana është një vend akoma shumë i varfër, në të cilin Kisha vendase duhet të impenjohet për të rrënjosur në zemrën e popullsisë shpresën që buron nga vlerat e Ungjillit. Ky mendim ishte në qëndër të fjalimit që u drejtoi sot Papa Benedikti XVI ipeshkvijve të Ganës. Vendi afrikan kremtoi pikërisht dje njëqindvjetorin e arritjes të misionarëve të parë: përkujtim ky që e nxiti Papën të theksojë se Kisha, në veprimtarinë e vet baritore, duhet të ketë në qëndër të vëmendjes të rinjtë, martesën e krishterë dhe familjen.
Është një Kishë e re, në një vend ku mosha mesatare nuk arrin as në 60 vjeç. Është Kishë që ndriçon si flakadan shprese në mes të mjerimit të shumicës së popullsisë, duke luftuar me veprimtari apostolike e baritore shmangiet etike dhe rikthimin tek bestytnitë, të cilat shpesh herë janë shoqe të pandara të mjerimit ekonomik e shpirtëror. Megjithatë, Papa theksoi edhe progesin e madh që ka bërë vendi afrikan vitet e fundit kundër shuplakës së varfërisë, përmes zhvillimit ekonomik. Një proges i lavdërueshëm – e quajti Papa - i cili shtoi më pas me realizëm se vendi duhet t’i thellojë më tej përpjekjet, për të lehtësuar vërtetë barrën e rëndë të jetesës për 20 milionë ganezët, nga të cilët 30% janë katolikë :
“EXTREME AND WIDESPREAD POVERTY OFTEN RESULTS….
Varfëria e plotë dhe e përhapur, shkakton shpesh rënien morale të përgjithshme, që çon në krim, në korrupsion, në sulme kundër shenjtërisë së jetës njerëzore ose në rikthim të praktikave supersticioze të së kaluarës. Në një situatë të tillë, njerëzit mund ta humbasin lehtësisht besimin tek ardhmëria”.
Në këtë skenë – pohoi Benedikti XVI - Kisha shikon përpara dhe e ndriçon si flakadan shprese jetën e të krishterëve. E këtë e bën sidomos me programe globale të formimit, që i ndihmojnë katolikët – të vetëdijshëm për fenë e tyre – të jenë protagonistë të fateve të Ganës. Papa vlerësoi lart veprimtarinë për ungjillëzimin e vendit, aspak të lehtë, sepse shpesh pengohet sa nga mungesa e fondeve, aq edhe nga qëndrimi armiqësor i mjedisit rrethues. Rëndësi ka – vijoi Papa – që katekistëve t’u jepet ndihmë shpirtërore, doktrinore e morale, pa harruar edhe mbështetjen materiale që kërkojnë në kryerjen korrekte të misionit të tyre.
Më pas Papa preku thelbin e veprimtarisë baritore të Kishës ganeze, që ka të bëjë me familjen dhe martesën:
“WHILE CHRISTIANITY ALWAYS SEEKS TO RESPECT…
Ndërsa krishtërimi përpiqet gjithnjë të respektojë traditat e nderuara të kulturave e të popujve, kërkon edhe t’i pastrojë ato praktika që i kundërvihen Ungjillit. Për këtë arsye, është themelore që mbarë bashkësia katolike t’i kushtojë vazhdimisht një vëmendje të dorës së parë bashkimit monogam – të një burri me një grua, bashkim i pandashëm, i kurorëzuar nga shenjtëria e sakramentit të martesës”.
Mendimi i fundit, për meshtarët, të cilët nuk duhet ta shikojnë kurrë detyrën e tyre si mundësi për përmirësimin e jetesës ose të nivelit të tyre shoqëror. Në se mendohet kështu, meshtaria është e parealizuar dhe e pafrytshme, prandaj duhen zgjedhur me shumë kujdes kandidatët që studiojnë për meshtarë, që ta shikojnë meshtarinë e tyre si shërbim që i bëhet Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.