2006-04-20 17:17:14

Mbi kryevjetorin e Papnisë së Benediktit XVI, komente nga imzot Ravazi dhe nga profesor Posenti


( 20. 04. 06 R. V.)RealAudioMP3 Butësi e vendosmëri: mbi stilin e Benediktit XVI në vitin e parë të Papnisë së tij, të ndjekim reflektimet e biblistit, imzot Gjanfranko Ravazi dhe të filozofit Vitorio Posenti.
“Të jetë bari i butë e i vendosur i Kishës së tij” - kështu, në kryevjetorin e Papnisë, Benedikti XVI nënvizoi dje, në audiencën e përgjithshme, me ç’shpirt e jeton misionin e tij apostolik të Pasardhësit të Shën Pjetrit. Por të njihemi më së afërmi me vendosmërinë plot butësi të Papës teolog dhe aftësinë e tij për t’u ballafaquar me intelektualë laikë.
“Një punëtor i thjeshtë e i përvuajtur në Vreshtin e Zotit”: kështu iu paraqit Benedikti XVI botës më 19 prill, një vit më parë. Besnik ndaj këtyre fjalëve, të shqiptuar pak pas zgjedhjes së Tij, Papa – gjatë gjithë vitit të parë të Papnisë – ka dëshmuar se është plotësisht e mundur që forca e së Vërtetës të kumtohet me përvujtëri e butësi. Kjo karizëm e Benedikti XVI nënvizohet nga prefekti i Bibliotekës Ambroziane, imzot Gjanfranko Ravazi:
- Për ata që e kanë njohur personalisht edhe para se të bëhej Papë, nuk është aspak e çuditshme delikatesa dhe ëmbëlsia e Atit të Shenjtë, madje nuk mund të kuptohet ndryshe. Stili i Benediktit XVI është në kundërshtim me konsideratën, me konceptin që ishte krijuar për figurën e tij para papnisë. Mendoj se ministeri i tij dallohet, gati- gati ngrihet - mbi bazën e frazës së famshme të Letrës së Parë të Shën Pjetrit, që thotë: “Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që kërkon prej jush arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi e nderim”.
- Gëzim, dashuri, miqësi: tri fjalë të forta të këtij viti të parë të papnisë, e megjithatë ka edhe nga ata që mendojnë se Jozef Racinger është pesimist….
- Duhet të pranojmë se disa fjalë të zakonshme janë edhe pakëz të vështira për t’u zbërthyer nga mendja, megjithatë mendoj se në portretin e tij shpirtëror arrijmë të dallojmë një farë lëkundje ndërmjet dy polesh: nga njëra anë, vëmendja për bërthamën e fesë, dmth për të vërtetën; nga ana tjetër, lëkundja e vazhdueshme edhe drejt dashurisë dhe bamirësisë së krishterë.

Benedikti XVI, Papa teolog i dashuruar me Zotin, di të dialogojë edhe me botën laike e me ata që nuk besojnë. Madje në këndvështrimin intelektual, vlerësohet si njeri shumë më tërheqës se disa përfaqësues të tjerë të kulturës, të cilët shpesh herë janë larg nga qëndrimet e Kishës. Lidhur me këtë, të ndjekim reflektimin e Vitorio Posentit, profesor i Filozofisë politike pranë Universitetit të Venedikut:
- Benedikti XVI, e më parë kardinali Racinger, ka një stil njëkohësisht të qartë e të butë. Të qartë, sepse ka shprehur gjithnjë haptazi mendimin e tij për gjërat me të cilat pajtohet e për ata me të cilat nuk pajtohet, si në kulturën teologjike ashtu edhe në kulturën civile bashkëkohore; e njëkohësisht edhe të butë, pa mallkime, pa skomunikime. Më duket se dialogu me Habermansin para dy vjetësh, ka qenë një shenjë e rëndësishme e se të dyja palët, Habermansi e Racinger – pranuan se dialogu ndërmjet fesë e arsyes është i nevojshëm. Është e nevojshme që arsyeja të përpiqet të spastrojë çdo përpjekje të dhunshme të mundshme të një interpretimi negativ nga ana e fanatizmave fetare. Është e nevojshme edhe që feja –flas në këtë rast për fenë e krishterë – për fenë biblike – të sjellë një frymë shpirtërore, një frymë butësie, të ndryshme nga ajo që quhet ubris, arrogancë e arsyes e cila, po të lihet në fatin e vet, mund ta cënojë rëndë jetën njerëzore në rrënjët e saj.
- Që kur ishte në krye të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Jozef Racinger ka vënë theksin mbi rrezikun që paraqet ajo, të cilën ai vetë e ka quajtur “diktatura e relativizmit”. Është një temë e trajtuar nga Benedikti XVI, ndjekur me shumë interes edhe nga mjedise që nuk mendohej se mund të interesoheshin…
- Këtu, nga këndvështrimi kulturor, prekim një pikë qëndrore të krizës së kohës; e kam fjalën për krizën e Përendimit, sepse “diktatura e relativizmit”, ndonëse sot nuk është aq e fortë siç ishte në të kaluarën, mbetet gjithnjë një pikë tepër delikate. Nuk mund të pranojmë çfarëdo opinioni moral ose çfarëdolloj opinioni mbi jetën e mbi familjen, duke pohuar se të gjithë kanë të njëjtin dinjitet e se të gjithë duhen mbrojtur njëlloj.







All the contents on this site are copyrighted ©.