2006-04-20 18:56:34

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së II-të të Pashkëve „B“
( Vap 4,32-35 ; 1Gjn 5,1-6; Gjn 20,19-31 )


RealAudioMP3 (21.04.'06.R.V.) Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit. Kësaj radhe do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku mbi leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 2-të të Pashkëve „B“.
Në këtë të dielë na shoqëron e udhëheq Gjoni ungjilltar, ndoshta sepse duke jetuar më shumë se apostujt e tjerë, ka qenë dëshmitar se si, dalëngadalë po në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme është përhapur në botë feja në Krishtin e Ngjallur Zot.
Kështu pra, në të dielën e dytë të Pashkëve, liturgjia dëshiron të na ndihmojë ta thellojmë misterin e Ngjalljes, ngjarjen qendrore, vendimtare, të fesë sonë të krishterë. Të dielën e kaluar, liturgjia na paraqiti këtë ngjarje në vete, ndërsa këtë herë synon të na ndihmojë ta kuptojmë se çfarë është NGJALLJA e KRISHTIT e si mund të nxjerrim fryte prej saj në jetën e përditshme.
Tekstet biblike që liturgjia na propozon këtë të diele, janë të përshkuara e të mbushura me mahnitje, mrekullim dhe na thërrasin të gëzohemi. Po tani t’i dëgjojmë leximet biblike të dielës së dytë të Pashkëve.
Vënë në dukje temën e fesë dhe rrjedhojat e saj.
Leximi i parë i kësaj së diele, marrë nga Veprat e Apostujve na përshkruan jetën e bashkësisë së parë kristiane, të themeluar pas Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht, e cila bashkësi kremtonte së bashku eukaristinë, lutej së bashku e kështu ndër besimtarë rritej atmosfera e vëllazërimit dhe e bashkëndarjes të të mirave materiale e shpirtërore. Kështu, në bashkësinë e parë kristiane kemi tri elemente apo shenja dalluese që karakterizojnë nxënësit e Jezusit: „gjestet apostolike të shoqëruara me simbole; forca e dëshmisë dhe shembulli i jetës“.
Motivi i fesë e frymëzon edhe leximin e dytë, marrë nga letra e Shën Gjonit apostull: „kushdo beson se Jezusi është Biri i Zotit, ka forcë për ta mbizotëruar botën, për ta mundur botën e për t’i mposhtur forcat e errëta të së keqës“.
Pjesa e Ungjillit, së fundi, është një shpallje thelbësore e fesë pashknore dhe na paraqet Jezusin, i cili në mbrëmje të ditës së Pashkëve iu dëftua apostujve e atyre u bëri dhuratën e madhe të paqes së vet.
Kështu, Pashkët, Ngjallja e Krishtit bën thirrje për ta ndryshuar, ripërtërirë jetën tonë duke marrë e pasur si pikë referimi dashurinë e Zotit.
Pashkët me siguri janë pikarritjeje, por gjithmonë mbetën edhe pikënisje e kthimit tonë që duhet të ripërtërihet vazhidimisht e që na ndihmon të rizbulojmë në jetën e përditshme veprat e mrekullueshme të dashurisë së Zotit.
Me pak fjalë, në këto të diele, liturgjia e Fjalës së Zotit na propozon e në të njëjtën kohë, na bën t’i rijetojmë në mënyrë më intensive dhe emocionuese takimet e para të Jezu Krishtit të Ngjallur me nxënësit e vet, përmes fesë e dashurisë. Pashkët lindin fenë e feja lind dashurinë: këtu qëndron e tërë porosia ungjillore. Në duart e Tomës apostull janë të gjitha duart tona, ne që kemi besuar pa i prekur plagët e Krishtit, por kemi besuar sepse të tjerët i kanë prekur, para nesh.
Kështu thotë poezia e një autori anonim të shek. XIII:
„Kam ecur gjatë, o Zot, për të kërkuar: po ti nuk më lejove të të gjej! Cka është njeriu, nëse nuk ecën me Dikë? Atëherë u nisa në kërkim të vetes sime: po ende jam me duar të zbrazta. Së fundi vendosa të kërkoja të afërmin tim. Dhe ja, duke u takuar me të, kam gjetur që të tre“!
Po tani të dëgjojmë leximet biblike të dielës së dytë të Pashkëve.


Komenti i leximeve biblike nga dom Marjan Paloka
 







All the contents on this site are copyrighted ©.