2006-04-20 18:59:01

Lajme shoqërore-politike: 20 prill


RealAudioMP3 “Janë 5186 dënimet me vdekje në 53 vende të botës, prej të cilave 2148 janë zbatuar.”- thuhet në raportin e Amnesti Internashionalit që u bë i njohur sot. Sipas kësaj organizate numri i të burgosurve që presin ekzekutimin është 20 mijë. Raporti vë në dukje faktin se shumica e ekzekutimeve zbatohen në Kinë, Arabi Saudite dhe SHBA-ës.


Delegacioni iranian që mori pjesë në Moskë në takimin e djeshëm të vendeve me të drejtë vetoje në OKB, përsëriti qëndrimin e njohur se Irani do të vijojë me pasurimin e uraniumit. Nga ana e vet Moska pohoi se centrali bërthamor që po ndërton për llogari të Iranit nuk paraqet rrezikshmëri.


Presidenti kinez Hu Zhintao që prej disa ditësh po kryen një vizitë në SHBA-ës u takua sot edhe me presidentin Xhorxh Bush. Kësaj vizite i parapriu takimi me Bill Gejtsin dhe përfaqësuesit e firmës Boing me të cilët u diskutuan planet për bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik. Sipas zyrës Kombëtare të Statistikave, për tremujorin e parë të këtij viti rritja ekonomike në Kinë, ishte 10,2 përqind.


Pentagoni bëri të njohur për herë të parë një listë prej 558 emrash të burgosurish që mbahen në bazën e Guantanomos. Që të gjithë janë arrestuar në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe vijnë kryesisht nga Arabia Saudite, Afganistani dhe Jemeni. Të burgosurit, shumica e të cilëve ka katër vjet që janë internuar në këtë bazë amerikane, cilësohen si persona me rrezikshmëri të lartë.


Kryeministri irakian Xhafari dorëzoi mandatin e tij në duart e Aleancës Shiite me qëllim që të garantohet uniteti brenda mazhorancës. Ndërsa mbledhja e sotme e parlamentit që duhej të kishte bërë disa emërime të reja në poste kyçe, u shty për të dielën.







All the contents on this site are copyrighted ©.