2006-04-19 17:37:26

Kryevjetori i Papnisë për Benediktin XVI, i cili shprehu bindjen se do ta mbajë së bashku me të gjithë besimtarët, përgjegjësinë e Ministerit të Pasardhësit të Shën Pjetrit. Thirrje e re për paqe në Tokën Shenjte dhe dënim i ashpër i atentatit të urryer të Tel Avivit


RealAudioMP3 ( 19. 04. 06 R. V. )Sot, në ditën e kryevjetorit të Papnisë, Benedikti XVI shprehu bindjen se besimtarët do ta ndihmojnë për ta mbartur peshën e përgjegjësisë së ministerit të tij si pasardhës i Shën Pjetrit. Papa bëri thirrje për paqe në Tokën Shenjte dhe dënoi ashpër çdo akt dhune, edhe kur bëhet fjalë për afirmimin e të drejtave të ligjshme të një populli.
Benedikti XVI kremtoi sot përvjetorin e parë të papnisë së Tij. Sot paradite Ati i Shenjtë, që arriti në Vatikan me helikopter nga selia e tij e Kastel Gandolfos, ku po kalon një periudhë të shkurtër pushimesh për Pashkë, u prit me dashuri nga 60 mijë shtegtarë nga të katër anët e botës, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të luten për të e ta ndihmojnë që të jetë bari i butë e i vendosur i Kishës. Pastaj, në përfundim të katekizmit, bëri thirrje për paqe në Tokën Shenjte dhe dënoi ashpër atentatin e urryer të së hënës së kaluar në Tel Aviv.

Njëlloj i emocionuar sot Benedikti XVI, ashtu si një vit më parë, më 19 prill të vitit 2005, kur u thirr: “t’i shërbente Kishës si pasardhës i Shën Pjetrit Apostull”:
“Sa shpejt kalon koha! Kaloi tashmë një vit nga ajo ditë kur, në mënyrë krejt të papritur e të beftë, Kardinajtë e mbledhur në Konklav deshën të zgjidhnin personin tim të varfër për t’i zënë vendin të ndjerit e të dashurit Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II”.
Pastaj kujtimi i takimit të parë me turmën në të njëjtin Shesh të Shën Pjetrit, kur u duk në lozhën qëndrore të bazilikës, menjëherë pas zgjedhjes së Tij; takim ky që i ka lënë mbresa të pashlyeshme në mendje e në zemër e në të cilin – theksoi Benedikti XVI - kuptova menjëherë të vërtetën e asaj që pata thënë, pastaj, në fillimin e papnisë sime:
“Jam thellësisht i vetëdijshëm se nuk do ta mbart i vetëm, çka në realitet nuk do të mund ta mbartja kurrë i vetëm”.
Më pas, gjatë katekizmit, Benedikti XVI u përqëndrua tek “Misteri i Pashkëve”, bërthamë kryesore dhe e pandashme nga mesazhi ungjillor, që përfshin mundimet, vdekjen e ngjalljen e Krishtit, Mister i cili përsëritet çdo të dielë, kur kremtojmë Pashkët e çdo jave. E pikërisht nga takimi me Krishtin e ngjallur lind feja – shpjegoi Papa - fe që bëhet “hov guximi e lirie” me vetëdijën se në çdo epokë, e edhe në kohën tonë, ashtu siç nxit Shën Pali – duhet të kërkojmë e të mendojmë për sendet që janë atje lart, e jo për këto të tokës. Por kjo – shtoi menjëherë Papa – nuk do të thotë çangazhim:
Kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga impenjimet e përditshme, të mos interesohesh për realitetet tokësore”.
Përkundrazi – vijoi Benedikti XVI – kjo do të thotë të gjallërosh çdo veprimtari njerëzore, duke e shikuar si frymëmarrje të mbinatyrshme, për të qenë lajmëtarë e dëshmitarë të gëzueshëm të Krishtit të ngjallur.
Pasi i përshëndeti shtegtarët në gjuhë të ndryshme, mendimi i Papës shkoi në Tokën Shenjte, ku dy popuj janë në luftë që prej 50 vjetësh e ku edhe një herë qahen të vdekurit e atentatit të tmerrshëm të fundit. Dënim i ashpër nga ana e Benediktit XVI:
Me akte të tilla të urryera nuk mund të mbrohen të drejtat e një populli edhe kur janë të ligjshme. Zoti, Princi i paqes, qoftë pranë izraelitëve e palestinezëve, që të mos ia lejojnë vetes të hyjnë në një rrugë tragjike, por të rifillojnë hapat që i çojnë në rrugën e paqes e të sigurisë njëri pranë tjetrit, si bij të të njëjtit Atë që është në Qiell”.

 
E sot në audiencën e përgjithshme Papa u rikthye tek një koncept, që e ka shoqëruar që nga dita e zgjedhjes së tij: tek vetëdija se nuk është i vetëm në detyrën e pashembullt në të cilën është thirrrur, që kapëcen çdo aftësi njerëzore; por se e jeton ministerin e Zëvendësit të Krishtit mbi tokë në bashkim me gjithë Kishën.
“Kush beson, nuk është kurrë i vetëm – nuk është i vetëm në jetë as në vdekje”. Është kjo bindja e thellë e Benediktit XVI, e shprehur që në fillim të Papnisë së Tij. Është bindje ngushëlluese të jesh i përfshirë në Kishë, në Korpin e Krishtit. Papa i fton të gjithë të ecin në shoqërinë e madhe të Kishës. Më 15 marsin e kaluar Ati i Shenjtë nisi një cikël të ri katekizmi përqëndruar pikërisht në lidhjen e Krishtit me Kishën: iu kundërvu, si një ideje pa themel, shpjegimit “individualistik” të kumtimit të Krishtit, i cili e shikon ardhjen e Zotit si akt të lidhur me çdo njeri që e mirëpret, ndërsa misioni i Jezusit – përsëriti Ati i Shenjtë – ka qëllim komunitar. Këtë e dëshmon vetë ekzistenca e të Dymbëdhjetëve, të cilët simbolizojnë dymbëdhjetë fiset e popullit të vjetër të Besëlidhjes – e tani bëhen “thirrje drejtuar mbarë Izraelit që të pendohet e të hyjë në Besëlidhjen e Re, si përmbushje e plotë dhe e përkryer e Besëlidhjes së Vjetër.
“Që nga çasti i parë i veprimtarisë së tij shëlbuese, Jezusi i Nazaretit përpiqet ta mbledhë Popullin e Zotit. Ndonëse predikimi i tij është gjithnjë thirrje për pendesë personale, ai në të vërtetë synon vazhdimisht në krijimin e popullit të Zotit, të cilin ka ardhur ta bashkojë e ta shëlbojë”.
Nuk mund ta mbaj Krishtin vetëm për vete – shkruan Papa në Enciklikën e tij – mund t’i përkas vetëm në bashkim me të gjithë ata që janë bërë ose që do të bëhen të tijtë. Prandaj mund të themi se ndërmjet Kishës e Krishtit nuk ka kundërvënie: janë të pandashëm. E prandaj edhe Benedikti XVI fton për të arritur tek Krishti në Kishë e përmes Kishës, pavarësisht nga mëkatet e njerëzve që e përbëjnë:
Mund të kritikohet shumë Kisha. Ne e dimë, e vetë Zoti ka thënë: ajo është një rrjetë me peshq të mirë e të këqinj, një fushë me grurë e me egjër. Papa Gjon Pali II, që na a e ka treguar fytyrën e vërtetë të Kishës në shumë shenjtorë e të lum, ka kërkuar edhe falje për të këqijat që, në rrjedhë të historisë, mund të jenë pasojë e veprimeve ose fjalëve të folura nga njerëzit e Kishës. Në këtë mënyrë na bën edhe ne ta shohim figurën tonë të vërtetë e na nxit të hyjmë, pavarësisht nga të metat e ligshtitë tona, në proçesionin e shenjtorëve që nisi me Mbretërit Dijetarë të Lindjes: në fund të fundit, sipas mendimit tim, është ngushëllues fakti që ekziston egjra në Kishë. Kështu, ndonëse me të meta, mund të shpresojmë të vijojmë rrugën tonë në gjurmët e Krishtit, që ka ardhur për të thirrur pikërisht mëkatarët”.
Pavarësisht nga ligështitë e Kishës, vetë Jezusi i ka besuar asaj shërbimin e dyfishtë e të pandashëm të dashurisë në vërtetësi:
“Shërbimi i Apostujve dhe i pasardhësve të tyre është, mbi të gjitha, shërbim dashurie, ndërsa dashuria që ata duhet ta jetojnë dhe ta promovojnë, është e pandashme nga të vërtetat që ruajnë e transmetojnë. E vërteta dhe dashuria – tha Papa – janë dy fytyrat e së njëjtës dhanti që vjen nga Hyji e që, në saje të shërbimit apostolik, ruhet në Kishë e arrin deri në ditët tona. Edhe përmes shërbimit të Apostujve dhe të pasardhësve të tyre, dashuria e Zotit Trini arrin tek ne për të na mësuar të vërtetën që të bën të lirë”.
E sonte, për nder të Benediktit XVI, në bazilikën romake të Shën Marisë së madhe u dha një koncert i organizuar nga Instituti Papnor i Muzikës Kishtare, duke thelluar kështu atmosferën festive që filloi që paradite në kryevjetorin e papnisë së Atit të Shenjtë. Në program ishin pjesë të mjeshtrit, Imzot Valentin Mizerahs Grau, drejtor i institutit dhe Sinfonia n. 5, op. 67 e Ludvig van Beetovenit.







All the contents on this site are copyrighted ©.