2006-04-18 18:37:49

Lajme shoqërore-politike 18 prill ’06 R.V.:


Pas atentatit të djeshëm në Tel-Aviv, në të cilin u vranë nëntë vetë, i gjithë Izraeli është vënë në gatishmëri të lartë. Sot një aeroplan izraelit sulmoi një fabrikë raketash në Gazë si kundërpërgjigje ndaj atentatit të terroristëve. Nuk pati viktima vetëm dëme materiale. Mësohet se deri tani, qeveria e Hamasit nuk e ka dënuar atentatin e djeshëm me kamikaze.


Epidemia e kolerës që ka mbërthyer Angolën prej disa ditësh, ka shkaktuar deri tani rreth 400 të vdekur, në një kohë kur çdo ditë ka rreth 350-400 raste të reja të infektuarish. Sidoqoftë, qeveria nuk ka shpallur ende gjendjen e jashtëzakonshme, gjë që pengon dërgimin e ndihmave humanitare.


Gjatë një sulmi kundra një komisariati policie në Bagdad, Irak, u vranë dy policë dhe pesë civilë. Gjithashtu pati edhe 20 të plagosur ndër civilët. Ndërsa në Ramadi ushtria amerikane zmbrapsi me sukses një sulm të rebelëve, kundër selisë së guvernatorit, që zgjati rreth një orë. Deri tani nuk ka njoftime për numrin e të vrarëve.


Përfaqësues të Rusisë, Kinës, SHBA-ës, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë u mblodhën sërish në Moskë për të biseduar mbi çështjen bërthamore iraniane. Bisedimet synojnë që të zgjidhin mosmarrëveshjet mes Kinës dhe Rusisë, nga njëra anë, dhe SHBA-ës nga ana tjetër, që kërkojnë ndërhyrjen ushtarake të OKB-së për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.


Në një raport të fundit të shërbimeve sekrete amerikane dhe kroate thuhet se anëtarë të Al-Kaedës ka 15 vjet që qarkullojnë lirshëm në Ballkan, duke shfrytëzuar kryesisht korridorin Turqi, Kosovë, Shqipëri. Terroristët kanë përfituar nga niveli i ulët i kontrolleve kufitare në këto vende për t’u takuar si edhe për t’u stërvitur në qendra sekrete.







All the contents on this site are copyrighted ©.