Kremtimi i Pashkëve nëpër botë: zakone e solidaritet
( 18. 04. 06
R. V. )Kremtime të ndryshme të Pashkëve në Botë e ndër shqiptarë, sipas dokeve
e zakoneve vendase Pashkët janë ngjarja që ndryshoi historinë e njerëzimit.
Kështu e quajti dje Benedikti XVI Ngjalljen e Krishtit, në sa Kishat në të katër anët
e Planetit e kremtuan këtë ngjarje gjithnjë të jashtëzakonshme, me solemnitet e përshpirtëri
të madhe. Ju ftojmë të bëjmë së bashku një shtegtim rreth botës, për të zbuluar si
i kremtojnë Pashkët në të pesë Kontinentet, duke njohur për së afërmi disa nisma solidariteti
e zakone vendase. Kemi shtegtuar shumë larg Shqipërisë. Po ndalemi së pari në
Kanada, ku intervistuam Mariela Pilikemin e gazetës ‘Corriere canadese’, që
na flet kryesisht për mënyrën si kremtojnë emigrantët. Kujtojmë se në Kanada shtohet
gjithnjë e më shumë edhe numri i mërgimtarëve shqiptarë, që përpiqen të organizohen
edhe ndër festat e mëdha. Prandaj, duke ndjekur festimet vendase, i ndjejmë pranë
edhe bashkatdhetarët që kremtuan sivjet Pashkët kaq larg atdheut: - Këtu
Pashkët ndjehen shumë, shumë, sidomos nga emigrantët, që përpiqen t’i jetojnë
sipas traditave, ashtu siç i kremtonin kur ishin në atdhe, para se të mërgonin në
Kanada. Kryesor është procesioni i festës, që sivjet u organizua për herë të 44. E
po ashtu u kremtua edhe Udha e 44-t e Kryqit në të cilën ishin të pranishëm 200 mijë
vetë. Është vërtetë prekëse t’i shikosh besimtarët që arrijnë nga të gjitha anët,
për të kremtuar udhën e ndjekur nga Krishti drejt Kalvarit, në të cilën shikojnë
sadopak vetë udhën e jetës së tyre. Kremtojnë, pastaj, me Zotin, edhe Pashkët e Ngjalljes.
Sheh të njëjtat fytyra, të cilave vit për vit u shtohen edhe fytyra të reja. Është
një takim në të cilin askush nuk dëshiron të mungojë. E kjo i emocionon jashtëzakonisht
të gjithë, sepse kështu e jetojmë festën në thellësinë e shpirtit. Nga Kanadaja,
po zbresim në Amerikën Latine e pikërisht në Perù. Në mikrofonin tonë është rregulltari
agostinian Atë Lizardo Estrada Herrera: - Bëhet një procesion nëpër
sheshe: është kremtimi kryesor i Pashkëve. Besimtarët këndojnë Aleluja, luten.
Njerëzit sjellin në Kishë ujët për ta bekuar, sjellin edhe kafshët. Takohen pastaj,
organizojnë festa të vogla me të afërt e komshi, gatuajnë e hanë një gjellë të posaçme
që bëhet vetëm për Pashkë: mish derri me patate. Por natyrisht hahen edhe gjellë të
tjera e sidomos ëmbëlsira, mollë, misër.... NgaPeruja fluturojmë në zemrën
e Afrikës, në Kenia, prej nga na flet Motër Nadia Monetti, themeluese
një jetimoreje për fëmijët e sëmurë nga Sida: - Bëjmë një drekë të madhe me
të gjithë fëmijët. Çdo të premte fëmijët ndjekin Udhën e Kryqit dhe kujtojnë stacionet
e Jezusit që, për fat të keq, janë edhe stacionet e jetës së tyre. - Ç’fjalë
keni gjetur për t’ua mësuar fëmijëve domethënien e Pashkëve? - Mendoj se
ma kanë mësuar ata mua, sepse më mësojnë si vuhet e si vdiset. Për ta mendimi
i Jezusit është i gjallë, është mendim feje. Për shembull, kisha një fëmijë i cili,
para se të vdiste, më kërkoi ta pagëzoja: asnjë nga ne nuk i kishte folur drejtpëdrejtë
për fenë. Por ai vetë, nga gjërat e vogla, lutjet, takimet që bënim herë pas here,
e kuptoi historinë e Jezusit e, para se të mbyllte sytë përgjithmonë, deshi të merrte
Sakramentin dhe emrin Gjon. Vijojmë shtegtimin e Pashkëve, duke u rikthyer
në Evropë, e pikërisht në Londër. Intervistuam në kryeqytetin anglez, Sàgjida Syed: -
Pa dyshim duhet përmendur kisha e Sent Piters, një nga Kishat më të rëndësishme
ku kremtohet Dita e Pashkëve. Atë Karmelo organizon të gjitha kremtimet e Javës së
Madhe dhe Meshën solemne me kor e buri, të së Dielës. Përsa i përket traditës jashtë
Londrës, mund të kujtojmë Vilën Skalabrini, ku organizohen ditë të posaçme me përmbajtje
të thellë shpirtërore, para, gjatë e pas Pashkëve. Nga Londra arrijmë në Itali.
Pothuajse në të gjithë gadishullin, të Dielën e Pashkëve vihet në skenë takimi i Virgjërës
Mari me Krishtin e Ngjallur. Në Kalabri, ndërmjet arbëreshëve, kjo ngjarje ka një
emër të veçantë, siç na shpjegon kryeredaktori i selisë së Rait të Kozencës, Pino
Nano: - Quhet “la sfruntata”; është një lloj, si të thuash,
takimi i Jezusit me Marinë. Në shesh del Shën Gjoni apostull që vrapon drejt Zojës
së Dhimbshme për t’i kumtuar ngjalljen e Krishtit; Zoja e Dhimbshme, duke mos e besuar,
ecën tri herë rreth sheshit, ku njerëzit mbajnë mbi shpatulla shtatoret tepër të
rënda të Jezusit, Shën Gjonit Apostull e Zojës së Dhimbshme. E kjo ecejake e Zojës
vijon në shesh derisa bindet se Krishti është ngjallur vërtetë: atëherë i hiqet veli
i zi që e mbulon dhe duket veli qiellor, i lumnisë. Pashkët: festa e
festave, pika qendrore e liturgjisë, fillimi i vitit liturgjik, kremtohen shumë
ndër arbëreshët. Java e Madhe parashikon shërbesa të shënjta (akoluthie) gjatë shtatë
ditëvet të saj. Të tre ditët e para i kushtohen akoluthisë e Nimfios: Krishtit, Dhëndrrit,
të Vetmit e Njeridashsit (Monos o Filànthropos), dhembjeve dhe lavdisë së Tij. Vijnë
pastaj larja e këmbëve, darka mistike, lutja në Gjetseman e tradhtia e Iskariotës.
Janë pikat kryesore të përsiatjes të së Ënjtes së Madhe e cila arrin kulmin me leximin
e Dymbëdhjetë Vangjelevet. Kremtimi i Oravet të Mëdha dhe Lutja e Mbrëmjes paralajmërojnë
varrimin e varrimevet: varri (epitàfios), që përmban pëlhurën e cila paraqet kurmin
e mbështjellë me qefinin e të Birit të Perëndisë, është gati të siellet me procesion.
Të krishterët, duke kënduar Kalimerën e Javës së Madhe dhe Vajtimin e Shën Mërisë,
kalojnë për tri herë nën varr. Notat plot hare të Alelujës shoqërojnë të Shtunën
e Madhe në të aguar të së Dielës së Pashkëve, një kremtin plot sugjestionim, gjatë
të cilit prifti shtron me fletë dafine trollin e kishës. Errësira e natës është korniza
ideale për kremtimin e “Fjalës së Mirë”: Krishti u ngjall! Christòs anésti!Fe e histori
shkrihen në një ndër shumë katunde arbëreshe, si në Frasnitë (Frashineto), ku rron
shpirti i lashtë i etnisë. Të Dielën e Pashkëve luhet vallja me origjinë të lashtë,
që disa identifikojnë me koreolën e Romakevet, me vallen pirrike ose me gru, valle
e lashtë me origjinë nga Delo e themeluar nga Tezeu mitik. Vajzat, të veshura me kostumin
e çmueshëm tradicional, të udhëhequra nga “kapurelët”, vallëzojnë duke vizatuar spirale
të pazgjidhshëme dhe duke kënduar rapsodi që përhimnojnë vlerat themelore të popullit
arbëresh dhe heronjtë e tij. Vallja, e vendosur si potkua, ecën hijerëndë madhërisht
nëpër udhët e qytetit, rrethon dhe zë rob armiq simbolikë që, pas pagesës po aq simbolike
e shpërblesës (pije ose bonbone), lihen të lirë. Afër valles, shkojnë “Ata ç’nxijen”,
shfaqje tipike e Frasnitës, ata që nuk flasin arbërisht e që lyejnë me blozë fytyrën
dhe “Ata me kutullen” që nënshtrojnë ata që kanë flokët e thinjur me puthjen rituale
të kafkës e me paralajmërimin “memento mores!” – “kujto se ke t’vdesësh!”