2006-04-17 17:00:48

Gëzimi i Pashkëve, i jetuar me Marinë dhe kujtimi i 500-vjetorit të vendosjes së gurit të parë të Bazilikës së Shën Pjetrit – ishin në qendër të vëmendjes sot në fjalët e Benediktit XVI, gjatë kremtimit të lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Kastel Gandolfo. Posaçërisht festive atmosfera në çastin e përshëndetjeve


(17. 04. 06 R. V.)RealAudioMP3 Gëzimi i Pashkëve, i jetuar me Virgjërën Mari: kjo është domethënia e takimit në lutjen mariane të mesditës, e cila në kohën e Pashkëve quhet Lutja e Mbretëreshës Qiellore. Benedikti XVI kujtoi se Virgjëra Mari e ruajti në zemër të vet “lajmin e mirë’ të ngjalljes, burim dhe e fshehtë e gëzimit të vërtetë dhe paqes së vërtetë, që Krishti i vdekur e i ngjallur e fitoi për ne me flijimin në Kryq. Prandaj Papa i ftoi besimtarët që sot t’i drejtohen Asaj, duke iu lutur që, ashtu siç na priu në ditët e mundimeve, t’u prijë hapave tonë edhe në këtë kohë gëzimi shpirtëror.
E në atmosferën gazmore të Pashkëve, Benedikti XVI përkujtoi edhe një përvjetor, të cilin e quajti shumë domethënës: “500 vjet më parë, pikërisht me 18 prill 1506, Papa Juli II vinte gurin e parë të Bazilikës së re të Shën Pjetrit, harmoninë madhështore të formave të së cilës, vijon ta admirojë, në rrjedhë shekujsh, një botë e tërë.
Benedikti XVI u shprehu mirënjohjen e tij papëve që e ngritën këtë vepër të jashtëzakonshme mbi varrin e Shën Pjetrit Apostull; kujtoi me admirim artistët që kontribuan me gjenialitetin e tyre për ta ndërtuar e për ta stolisur; falënderoi personelin e Fabrikës së Shën Pjetrit, që e mirëmban dhe e mbron këtë kryevepër arti e feje. E më pas shtoi:
“Uroj, me rastin e gëzuar të këtij 500-vjetori, të rizgjohet në zemrën e të gjithë katolikëve dëshira për të qenë ‘gurë të gjallë’ (1 Pt 2, 5) për ndërtimin e Kishës shenjte, në të cilën ndriçon drita e Krishtit (cfr Lumen gentium, 1) përmes dashurisë së jetuar e të dëshmuar para gjithë botës (cfr Gjn 13, 34-35)”.
Virgjëra Mari, së cilës Litanitë lauretane i drejtohen si “Causa nostrae laetitiae’ - ‘Shkaku i gëzimit tonë’ – na nxjerrtë nga Zoti hirin të provojmë gjithnjë gëzimin që të jemi ndërtesë shpirtërore e Kishës, ‘bashkësi e dashurisë’, e lindur nga Zemra e Krishtit.
Duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës spanjolle, Papa u ndërpre nga këngët mariane të një grupi të rinjsh, të cilët i la të vijonin këngën, për t’i falënderuar më pas:
Muchas Gracias”...
E pastaj një tjetër shkëmbim i atypëratyshëm me një grup napolitanësh, prania e të cilëve u ndje këndshëm pas Lutjes:
E shoh se Napoli më pret”...Kënga popullore, e improvizuar nga grupi në fjalë, dhe përshëndetjet e tjera, bënë që Papa të qëndronte më gjatë në ballkonin e Kastel Gandolfos, prej nga u uroi edhe një herë të gjithëve ‘për shumë vjet Pashkët’, shumë i kënaqur nga gëzimi i festës që ndjehej aq fort rreth tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.