Rrugëtimi i Kreshmëve nuk mund të reduktohet vetëm te agjërimi ose te uratët e
zakonshme, sepse dinamika e brendshme e tij gjendet te nderja drejt “gëzimit të pashkëve
nëpër gjurmët e Krishtit Zot”, në mënyrë që në mëngjesin e ditës së tretë të jemi
të shndërruar nëpër Krishtin. Është e pëlqyeshme atëherë, të meditojmë, duke përdorur
një libër postum të David Maria Turoldit “Rrugëtimi drejt besimit”, botuar nën kujdesin
Miqëve të “Qytetit të hapur” që përmbledh homeli të incizuara në Bazilikën e Monte
Berikos, në Viçencë, gjatë Kreshmëve të 1987. Pikënisje e intinerarit të fesë është
kthimi që, sipas konceptimit të David Maria Turoldit, do të thotë në thelb kalim nga
e jashtmja e besojmës fetare te transhendentja e besimit. Nuk është i mjaftueshëm,
në mënyrë që t’i themi vetes të krishterë përqafimi formal i fesë, siç nuk është i
mjaftueshëm pjesëmarrja sipërfaqësore në ritet liturgjike dhe tek ato të pendesës. Nëse
vetë Krishti thotë “ të parfumojmë kokën” kur agjërojmë dhe të mos lutemi “siç bëjnë
paganët”, do të thotë se vetë sjellja jonë fetare mund të cënohet nga dykuptishmëria
dhe, pra, duhet të jemi të kujdesshëm. Mbi të gjitha duhet të kthehemi e të besojmë,
në nderim të fjalëve të Krishtit, që para se t’u ngjitëte në Mal dhe të shpallte mesazhin
e lumnive, kërkoi pendesë dhe kthim në fé, a thua se donte të thoshte se pa shndërrimin
e brendshëm, besimi se mund të realizojmë kodin e të krishterëve “Lum të varfërit,
lum të përndjekurit, lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi”, do të ishte një iluzion. Nëse
pastaj mendojmë se ftesa për t’u kthyer i drejtohet popullit të Izraelit, “tepër fetar”,
“zbatues i përpiktë i fesë” do të thotë se edhe kulti përreth tempullit, ashtu siç
praktikohej, nuk ishte i mjaftueshëm, duke pasur parasysh se pikërisht zelotët dhe
kryepriftërinjtë bënë që Jezusi të vritej, në emër të një arsyeje të shpikur fetare,
në emër të Zotit. Por të cilit Zot? Pikërisht ky është problemi, sepse te konflikti
mbi konceptin e Zotit ndërmjet Krishtit dhe të kryepriftërinjve, ndërmjet Krishtit
dhe skribëve të çdo kohe, Biri i Zotit dënohet dhe vritet, a thua se një Zot i gabuar
i kundërvihet Zotit. Kjo është një nga temat themelore të predikimit të Turoldit,
që vazhdimisht na kujton se problemi nuk është Zoti por në cilin Zot të besojmë.
Ndryshimi mes paraqitjes së Zotit nga Jezusi dhe paraqitjes së Zotit nga kryepriftërinjtë
qe shkaku i kryqëzimit të Jezusit. Tri ishin gjërat e gabuara në kohën e Jezusit,
vëren Turoldi. Ishte i gabuar ligji dhe interpretimi i tij, ishte e gabuar koha dhe
mitizimi i saj, por mbi të gjitha ishte i gabuar Zoti. Kjo është linja e konfrontimit
dhe ndeshjes ndërmjet Krishtit dhe sinedrit e sinagogave, me gjithë mendësinë e kohës,
por edhe me këtë mendësinë tonë gjithnjë të tunduar dhe të sunduar nga një Zot që
i përshtatet kërkesave tona, jo atyre të Zotit: një Zot që nuk përputhet me të paparashikueshmen
dhe që shkandullon me figurën e Jezusit të përvuajtur dhe të dobët. Problemi për
Krishtin është ky: në emër të cilit Zot të rrezikojmë jetën? Cili është imazhi i Zotit
që na frymëzon? Cilin Zot predikojmë? Sepse gjithçka varet nga Zoti që predikojmë.
“Vuajtjet” e Krishti janë ato që i tregojnë botës se Zoti është I Ati i saj; sikurse
“vuajtja” e Zotit është t’i zbulojë botës se kush është njeriu i vërtetë, biri i vërtetë
i njeriut, domethënë njeriu që ka menduar Zoti. “Kështu që tani unë apo ti, apo kushdo
që mendon se është i krishterë, nuk mundet ta mbajë veten për të tillë nëqoftë se
nuk besojmë në Zotin e Krishtit. Ja ky është veprimi shkandullues i besimit: besim
te një Zot i mbështjellur në petkat e një njerëzimi meskin, i strukur tek i fundmi
i të fundmëve. Besim te një Zot që është vetëm plotfuqia e dashurisë, një Zot që shpëton
dhe fal, mëshirë që gurgullon; një Zot që vazhdimisht merr pamjen e njerëzimit, që
merr pjesë në fatin e njerëzimit, pjesëmarrës në fatin e njerëzve, ai vetë i fundmi
i të gjithë njerëzve.” Të besosh te Zoti i Krishtit është pika e vërtetë e nisjes
në rrugëtimin e kthimit në fé që do të na çojë në ndryshimin e mentalitetit. Në fakt
çdo gjë varet nga mendja, dhe prandaj edhe kthimi në fé duhet të vijë nga të menduarit,
duke shkaktuar një përmbysje të plotë të krejt logjikës njerëzore, e cila mban për
gjë të urtë atë që ndër syt e Zotit është marrëzi, ndërsa ajo që është marrëzi për
njerëzit është gjë e urtë për Zotin. “Tani kuptoj se pse shpëton ai që birret dhe
birret ai që kujton se po shpëton. Ja çfarë do të thotë të kthehesh në fé; dhe deri
sa të mos ndryshojmë mënyrën e të menduarit – përfundon Atë Turoldo – unë rrezikoj,
madje, edhe kur predikoj për gjëra të tilla.” Është jeta që duhet të përballohet
dhe të njësohet me projektin e Të Lumit, siç është i kodifikuar në Ungjill. Ja pse
Libri Hyjnor paraqitet si i nevojshëm jo vetëm për shpëtimin e amëshuar por edhe si
normë jete për të zgjidhur lëmshat e ngatërruar të historisë, të marrëdhënieve ndërmjet
njerëzve dhe të marrëdhënieve mes fesë dhe jetës. Ungjilli në të vërtetë është një
libër biologjik që i përgjigjet, domethënë, kërkesave themelore e të qenurit, e prandaj
ka rëndësi ontologjike: nëse nuk pranohet kodi i vlerave, si përshembull vlera e jetës
që vjen përpara vlerës së sendeve, vlera e njeriut që vjen përpara vlerës së vetë
jetës, është e kotë që të rropatesh në kërkim të përgjigjeve që nuk ekzistojnë. T’i
besosh ungjillit, pra, do të thotë të besosh tek absolutja e padiskutueshme dhe prandaj
edhe themelore e etikës së vetme shpëtimtare për t’u çliruar nga integralizmat poshtëruese
dhe të pafytyrë. Është besimi ai tek i cili bazohet liria e ndërsjelltë, është besimi
që na mëson respektin absolut të ndërgjegjeve, na thotë se Zoti është i amshueshëm,
pra, që edhe mundësitë janë të pafundme e që të shkojmë drejt transhendencës shpëtimtare.
Ky është kuptimi i Ungjillit i cilësuar si libër biologjik kundrejt ungjillit
i cilësuar si libër këshillash, libër jo i detyrueshëm, pra, pa të cilin edhe mund
të bëhet. Përkundrazi, një libër i lirë aq sa i nevojshëm: i lirë në vështrimin e
një propozimi dashurie që pret një përgjigje dashurie, edhe pse jemi tepër të bindur
se asgjë nuk është më e nevojshme se dashuria. “Është e lirë mënyra për të dashur
– përfundon Atë Turoldi – domethënë është i lirë objekti i dashurisë, por nuk është
e lirë dashuria; e lirë është vetëm përgjigja, duke qenë se është akt dashurie në
vetvete. “Dashurisë nuk mund t’i jepen urdhëra, është e nevojshme vetvetiu.” Është
lehtë, nga ky këndvështrim, të vërtetojmë nëse mendësia jonë është ajo e drejtë, simbas
Ungjillit, sepse asnjë nuk mund të jetë i sigurtë se ka përqafuar Krishtin dhe prandaj
të besojë me të vërtetë tek Ai. “Tjetër është të besosh e tjetër është të besosh se
se beson”. Prej këndej rrjedh nevoja që të ballafaqohemi gjithnjë, në mënyrë që të
mos ngurtësohemi te pozita fetare pa u rrëmbyer nga vrulli dhe dinamika e besimit.
“Përkundrazi, nëse ju, vë në dukje Atë Turoldi, e merrni Zotin si një zbulim të vazhdueshëm,
si pikë referimi, jo aq sa një Zot për të cilin flitet, sa të cilit i flitet, kur
ju të mos e keni më pretendimin që ta sundoni Zotin, që ta bëni Zotin sipas kërkesave
tuaja e jo ju sipas kërkesave të Zotit, ja, atëherë do të kemi besimin te feja. Por
kur, përkundrazi, ti vihesh vazhdimisht në kërkim të Zotit dhe unë kërkoj vazhdimisht
Zotin, ja pra se atëherë, duke qenë se takohemi edhe mund t’a ndihmojmë njeri-tjetrin
ta gjejmë së bashku Zotin dhe atëherë jemi që të dy “besimtarë”. Rrugëtimi drejt
besimit, me një fjalë, përmblidhet kryesisht te nderja e vazhdueshme drejt Zotit dhe
te projektimi i jetës tek Ai, që bën të mundur kapërcimin e të gjitha fanatizmave,
arritjen e lirisë së shpirtit dhe të ndjerjes në harmoni me të gjithë ata që kërkojnë
Zotin në këtë botë, pa pretenduar se mund të kapërcejmë pragun e ndërgjegjes së tjetrit
apo ta zëvendësosh... Ky është besimi që aktualizohet te dashuria, një besim që lejon
të mendojmë si mendon Zoti dhe të ndjejmë atë çka ndjen edhe Ai. Pra, bëhet fjalë
që të ballafaqohemi me projektin e Zotit, ashtu siç është shpallur nga Krishti. Duke
e krahasuar vazhdimisht jetën tonë kryhet kthimi në fé. Në fakt nuk kthehemi vetëm
një herë në jetë, kthehemi çdo ditë. “Kthimi është i pambarim, sikundër e pambarim
duhet të jetë edhe urata, sikundër i pambarim duhet të jetë edhe besimi. Është besimtari
ai që duhet të kthehet, ai që është praktikant duhet të krahasojë mëshirën e tij,
sepse siç thashë: mund të jem praktikant pa qenë besimtar, dhe mund të jem besimtar
pa qenë praktikant.“ Atë Turoldi përfundon me fjalët: “Unë jam i sigurtë për Zotin
por nuk jam i sigurtë se mund ta sundoj.” Kështu përfundon intinerari kreshmor
i përsosur më tej nga “Mendimet mbi Pashkët”, mendimi kryesor i të cilave përmblidhet
te shprehja: “Të ngjallurit e Krishtit nuk është tjetër veçse shkaku i vazhdimësisë
së njeriut.” Vijnë pastaj “Mendimet për laikët” që duke marrë shkak nga paralajmërimi
i Bernanit se: “Ka vetëm një trishtim, të mos jesh i shenjtë.” i afrohen vendosmërisë
të shenjtërisë, e vetmja që është në gjendje të na mbrojë nga virusi i Asgjësë. “Shenjti
është padyshim njeri besimtar; njeri që dëshmon qartë Zotin; prandaj dhe paraqitet
në të gjitha vendet si një shembull i njerëzimit. Dhe pikërisht shenjti, cilido qoftë
intensitetit i tij, përçon hare. Një hare që vetëm ai mund të dhurojë: shenjë se
Zoti është me të. Sepse është e pamundur që një shenjt të mos përçojë hare. Një shenjt
pa hare nuk është një shenjt, nuk është një njeri i Zotit.” Janë për t’u vënë në
dukje edhe “Mendimet e paqës”, tharmi i krejt predikimit të Atë Turoldit, të cilat
nisin me thënien se fjalimi mbi paqën është më i vështiri: “është tema më tronditëse,
tejet e vështirë dhe revolucionare, ndoshta e vetmja temë revolucionare mes të gjithave....
Paqja është një mrekulli. Pikërisht mrekullia që lë me gojë hapur ligjet tona, ligjet
e këtyre politikave të asgjësimit, të prestigjit dhe të fuqisë.” E pra, pa paqën
nuk ka krishtërim, as njerëzim, as martesë, as shtëpi, as shoqëri, “dhe aq më pak
Kisha mund ta quajë veten Kishë nëse nuk është kishë e paqës. Në fakt, lufta është
një humbje e të gjithëve. Lufta është disfatë për arsyen, disfatë për të drejtën,
siç është disfatë për politikën, fenë dhe besimin. Nga Francesko Licinio Galati
, marrë nga “Osservatore Romano”, e mërkurë 12 prill 2006, fq. 9