E Shtuna e Madhe: 'Exultet’ - ‘Galdimi’ i Natës së PashkëvE
( 15. 04. 06 R. V. )O natë, më e ndritshme se dita. Natë në të cilën dashuria del
nga terri. Natë që çliron Jezusin nga varri. Natë më e bardhë se dëbora, më
e ndritshm se drita e qirinjve, më e kthjelltë se dita.
Nata më e ëmbël
e qiellit. Nata-roje e korpit të Krishtit, natë kur Fryma e Zotit tokën përshkon. Natë
që mbushet me yje, natë e fitores, që vdekjen e mund. Më e ëmbla natë e qiellit.
Nata
më e pasur me paqe. Natë që fiton mbi botën e errët. Natë e hirit që ndrit si
lumnia. Natë që josh historinë, zemrën e përlyer që e kullon. Nata më e pasur
me paqe.
O natë, më e fortë se koha. Natë e të Gjallit mbi univers. Natë
e fjalës që mbush çdo heshtim. Natë në të cilën Kisha del në dritë. Natë
e ujit të gjallë, pas ngricave dimërore. O natë, ti më e fortë se koha”. Natën
e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia
është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës.
Janë të pranishëm të krishetrët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen
të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme
për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të
vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin
përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin
e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten: “Jezus
i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne! Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë e
njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës! Ti, Fjalë e gjallë e Atit, jepu
shpresë e besim atyre që e kërkojnë kuptimin e vërtetë të jetës së tyre. Ti,
Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun e uritur për vërtetësi, për liri, për
drejtësi, për paqe.
Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit, mësona fjalë e gjeste
paqeje: paqe për tokën e shugurar nga gjaku yt; paqe për Vendet e Lindjes së
Mesme e të Afrikës, ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké: paqe për mbarë njerëzimin,
mbi të cilin varet përherë rreziku i luftërave vëllavrasëse”.
Krishti kërkon
drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi
e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën
e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë
të një jete të re. “Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë, kemi nevojë
për ty, o Zot i ngjalllur! Rri me ne deri në fund të kohëve. Bëj që progresi
material i popujve të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore që janë shpirti
i qytetërimeve të tyre. Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë. Besojmë në
Ty, në Ty shpresojmë,sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.