2006-04-15 12:56:00

Aktualiteti i Udhës së Kryqit në një botë të tronditur nga dhimbja, varfëria e padrejtësia. Këtë theksoi mbrëmë Benedikti XVI në Koloseo, në sa rikujtonte, për herë të parë si papë, martirizimin e Jezusit


( 15. 04. 06 R. V. )Mbrëmë Papa Benedikti XVI kremtoi Udhën e parë të Kryqit të papnisë së tij, gjatë së cilës u fol kryesisht për lidhjen e njeriut me Zotin, për të këqijat e shoqërisë së sotme dhe paaftësinë e njeriut bashkëkohor për ta njohur e për ta pranuar mëkatin. Gjatë Udhës së Kryqit me Koloseun u lidhën 62 rrjete televizive nga 42 vende të botës. Në përfundim Ati i Shenjtë u drejtoi besimtarëve fjalët e mëposhtme dhe u dha Bekimin Apostolik:
Të dashur vëllezër e motra,
e shoqëruam Jezusin në Udhën e Kryqit. E shoqëruam këtu, në udhën e martirëve, ku shumë vuajtën për Krishtin, ku dhanë jetën për Zotin, ku Zoti vuajti tepër në shumë njerëz.
E kështu e kuptuam se Udha e Kryqit nuk është një kujtim që i përket së kaluarës dhe një pike të përcaktuar të Tokës. Kryqi i Krishtit rrok botën mbarë, Udha e Tij e Kryqit përshkon kontinentet e kohërat. Në Udhën e Kryqit nuk mund të jemi thjeshtë spektatorë. Na përfshin edhe ne e duhet të kërkojmë vendin tonë: ku jemi ne!
Në Udhën e Kryqit nuk ka mundësi të jesh asnjanës, nuk ka asnjanësi. Pilati, intelektuali skeptik, deshi të ishte asnjanës, dorëjashtë, por pikërisht kështu mbajti qëndrim kundër drejtësisë, për të mbrojtur karrierën.
Duhet të kërkojmë vendin tonë. Në pasqyrën e Kryqit pamë gjithë vuajtjet e njerëzimit të sotëm, Kryqin e Krishtit sot! Pamë vuajtjen e fëmijëve të braktisur, të shpërdoruar, kërcënimet kundër familjes, ndarjen e botës në kryelartësinë e të pasurve, që nuk e shohin Lazrin përpara portës dhe në mjerimin e të shumtëve, që kanë uri e etje.
Por pamë edhe stacione ngushëllimi. Pamë Nënën, mirësia e së cilës mbetet besnike deri në vdekje e përtej kufijve të vdekjes. Pamë gruan guximtare, që rri pranë Zotit e nuk ka frikë t’ia shprehë haptas solidaritetin e vet të vuajturit. Pamë Simonin, Cireneun, afrikanin, duke mbartur kryqin së bashku me Jezusin. E së fundi, me këto stacione ngushëlluese, pamë se, ashtu siç nuk mbaron vuajtja, nuk mbaron kurrë as ngushëllimi; pamë sesi në Udhën e Kryqit Pali gjeti zellin e fesë së vet e ndezi dritën e dashurisë. Pamë si gjetën rrugën e vet Shën Agostini, Shën Françesku i Asizit, Shën Vinçenci i Paolit, Shën Maksimilian Kolbe, Nënë Tereza e Kalkutës.
E kështu jemi të thirrur edhe ne të gjejmë vendin tonë, të gjejmë, me këta guximtarë të mëdhenj, udhën me Jezusin e për Jezusin, udhën e mirësisë, të vërtetësisë, të trimërisë, të dashurisë. E kështu kuptuam se Udha e Kryqit nuk është thjeshtë një përqasje gjërash të errta e të trishtuara të botës, s’është as moralizëm pa fryt, as britmë proteste që nuk ndryshon asgjë. Udha e Kryqit është udha e mëshirës, e dhembshurisë që i vë cak së keqes: kështu na ka mësuar Gjon Pali II. Është udha e dhëmbshurisë e, kështu, udha e shëlbimit. E ne ftohemi të marrim udhën e mëshirës dhe, së bashku me Jezusin, t’i vemë cak së keqes.
Ta lusim Zotin të na ndihmojë, të na ndihmojë të pushtohemi nga dhëmbshuria e Tij. Ta lusim Nënën Shenjte të Jezusit, Zojën e Dhimbshme, që edhe ne të jemi burra e gra të dhembshurisë e kështu të ndihmojmë për shëlbimin e botës, për shpëtimin e krijesës, njeriut të Hyjit. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.