2006-04-12 16:23:34

Sot, në audiencën e përgjithshme, Papa Benedikti XVI theksoi: Ngjarjet e Triditshes së Pashkëve i nxisin të krishterët të pendohen e të ndërtojnë një botë më të mirë


(12. 04. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Ngjarjet e Triditshes së Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Krishtit, të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur – këtë theksoi Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme.
Triditshja e Pashkëve ishte sot në qëndër të vëmendjes në katekizmin e së mërkurës të Benediktit XVI, kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa, që do të kryesojë për herë të parë ritet qëndrore të Javës së Madhe, ia kushtoi reflektimin e audiencës së përgjithshme tri ditëve të shenjta që – siç theksoi vetë Ati i Shenjtë – përbëjnë thelbin e vitit liturgjik.
Janë 72 orët në të cilat, më shumë se kudo, feja e krishterë gjen arsyen më të thellë të qenies së vet. Ngjarjet e Triditshes së Pashkëve – u shpjegoi sot paradite Benedikti XVI 40 mijë besimtarëve që e duartrokisnin në Sheshin e Shën Pjetrit, janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe e mirësi. E Enjtja e Madhe, me Jezusin që na e dhuron plotësisht vetveten, duke na lënë Eukaristinë; e Premtja e Madhe, me dramën e Udhës së Kryqit e të Kalvarit; e Shtuna e Madhe, me heshtjen e thellë të varrit. Benedikti XVI reflektoi për secilën nga tri ditët e mëdha të kësaj Jave të jashtzakonshme, duke kujtuar kështu kuptimin e thellë të Mundimeve të Krishtit e të simbolit të tyre, Kryqit, që na flet për vdekjen e për shëlbimin:
“Në misterin e të Kryqëzuarit, kam shkruar në Enciklikën time, përmbushet ai kthim i Zotit kundra vetvetes, në të cilin ai dhurohet për ta ngritur përsëri njeriun e rrëzuar e për ta shpëtuar – dashuri kjo, e shprehur në formën e saj më rrënjësore. Kryqi i Krishtit, shkruan Shën Leoni i Madh, është burim i të gjitha bekimeve, është shkaku i të gjitha hireve”.
Në se e Premtja është dita e Kryqit, e Enjtja - kujtoi Papa - mbyllet me Adhurimin që i çon të krishterët pranë Jezusit, i cili lutet në Gjetseman, i vetëm. Kjo ishte për Të ora e braktisjes dhe e vetmisë – vërejti Papa – në sa nxënësit nuk qenë të zotët të rrinin zgjuar e të ruanin:
“Edhe sot Zoti na thotë: “Rrini zgjuar e ruani me mua”, në sa shikojmë se edhe ne, nxënësit, shpesh flejmë. Jehon në këtë ditë në veshët tonë fjala e Zotit: “Rrini zgjuar e vigjëloni së bashku me mua!”.
Pak ditë para Pashkëve, rruga pendestare që përshkon çdo i krishterë, duke rijetuar skenat e Mundimeve të Krishtit, duhet ta çojë – pohoi Benedikti XVI – në një çast pendese e pajtimi me Zotin, përmes Sakramentit të Rrëfimit:
“Të përgatitesh për Pashkë me një rrëfim të mirë mbetet detyrë e rëndësishme, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Ngjallurit e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti i ngjallur”.
Falja e tij, që na dhurohet përmes Sakramentit të pendesës – vijoi Ati i Shenjtë- është burim i paqes së brëndshme e të jashtme e na bën apostuj të paqes në një botë ku, për fat të keq, vijojnë përçarjet, vuajtjet, dramat e padrejtësisë, të urrejtjes e të dhunës, të paaftësisë për t’u pajtuar e për të rifilluar jetën e re me faljen e sinqertë:
“Ngjallja e Tij na jep sigurinë se pavarësisht nga errësira e dendur e së keqes në botë, fjala e fundit nuk i takon së keqes. E, të mbështetur në këtë siguri, ne mundemi, me guxim e entuziazëm, të impenjohemi për të ndihmuar në lindjen e një bote më të drejtë këtu, në tokë”.
Pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, shtegtarët anglezë, duke kujtuar se pikërisht Ditën e Pashkëve Ati i Shenjtë do të kremtojë edhe ditëlindjen, e uruan duke kënduar: “Happy Birthday Papa – Për shumë vjet ditëlindjen, Papë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.