(10. 04. 06 R. V. )Me të Dielën e Larit filloi edhe Java e Madhe që do të
përfundojë Natën e Pashkëve. Është periudha liturgjike më e fortë e gjithë vitit.
Me ne kardinali Arinze, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën
e Sakramenteve. - Hirësi, me ç’shpirt duhet ta jetojmë Javën e Madhe? -
Me shpirtin e fesë, të adhurimit dhe të dashurisë për Jezusin që dha jetën për ne.
Me shpirtin e falënderimit për Hyjin Atë, për Birin e Shpirtin Shenjt, sepse Jezusi
Shëlbues është shprehje e Mëshirës së Hyjit që nuk e la njerëzimin në gjendjen e mëkatit
të rrjedhshëm, por na çoi Shpëtimtarin. - Triditshja e Mundimeve, Vdekjes dhe
Ngjalljes së Zotit është në qendër të Vitit Liturgjik… - Pa dyshim. Kush nuk
e merr vesh rëndësinë e misterit të Pashkëve, kush nuk e kupton se kremtimi i tij
është kulmi i veprës së shpërblimit tonë, përmes Mundimeve, Vdekjes e Ngjalljes së
Jezusit, kush nuk e shikon këtë, nuk e kupton ç’është feja e krishterë. Sigurisht,
është mister…. Nuk mund të pretendojmë t’i kuptojmë të gjitha, gjithsesi Zoti pret
nga ne një farë përgjigjeje për këtë ngjarje të pashembullt e të papërsëritshme. -
Po ndoshta mund të ketë shumë të krishterë që nuk e jetojnë misterin e këtij solemniteti
si qendër të fesë së tyre… - Për fat të keq, disa të krishterë nuk e jetojnë.
Por ka shumë të tjerë që bëjnë ç’është e mundur për ta jetuar misterin të cilin e
kremtojmë. Gjëja e parë që duhet bërë, është të marrësh pjesë në kremtimet e Javës
së Madhe, të shkosh me kohë në Kishë, të kesh me vete rendorin e Meshës, në mënyrë
që t’i ndjekësh mirë të gjitha leximet; të reflektosh, të lutesh e të besosh në hirin
e Hyjit që vepron në ne. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë. Është e nevojshme të
studiohet edhe Katekizmi i Kishës Katolike, për të kuptuar mirë gjithçka kremtojmë. -
Ç’do të thotë të vdesësh me Krishtin, për t’u ngjallur së bashku me Të? - Kremtimet
e Javës së madhe vënë theksin mbi pendimin, mbi pagëzimin: kush beson, kush pendohet
për mëkatet e veta, e pranon Krishtin, pagëzohet e fiton jetën e re që ia jep Jezusi.
Ja pse është e nevojshme të përsëriten premtimet e bëra në pagëzim. E pastaj , nata
e Pashkëve është nata më solemne, më solemne nga të gjitha netët festive, me marrjen
e sakramentit të pagëzimit për të krishterët e rinj, me krezmimin e Eukaristinë e
Shenjtnueshme. - Feja e krishterë nuk është fe që hymnizon dhimbjen: atëherë,
si mund ta pajtojmë dhimbjen e Kryqit me gëzimin e Ringjalljes? - Në se vdekja
e Jezusit mbi kryq do të ishte fundi i të gjithave, feja e krishterë do të ishte fe
e dhimbjes; por Kryqi nuk është fundi i të gjithave, sepse Jezusi u ngjall në të
tretën ditë, siç pati premtuar e si qe parathënë në Besëlidhjen e Vjetër. Atëhere
nga Kryqi buron jeta: ashtu si djalli e gënjeu njerëzimin përmes Adamit. Kryqi i Jezu
Krishit është burim jete. Prandaj ne jemi ndjekës të Jezusit Shëlbues, Jezusit të
Ngjallur, Jezusit që jep jetë. E prandaj krishterimi është fe e jetës, fe e gëzimit
në Krishtin e Ngjallur: është fe e jetës: jetë e hirit në këtë botë, jetë e kundrimit
të Hyjit ashtu si është, në botën që do të vijë.