2006-04-10 16:51:12

Mijëra shtegtarë në Tokën Shenjte për kremtimet që do të arrijnë kulmin ditën e Pashkëve


( 10. 04. 06 R. V. )Mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota ndodhen këto ditë në Tokën Shenjte për kremtimet që do të arrijnë kulmin të Dielën e Pashkëve.
Dje besimtarë të shumtë me gema palmash ndër duar, përshkuan me procesion distancën nga Betfage deri në Jeruzalem. Për të na e përshkruar kremtimin e djeshëm të së Dielës së Palmave, në viset që kanë parë Krishtin duke hyrë ngadhnjimtar në Qytetin Shenjt, ftuam në mikrofonin e radios sonë, françeskanin e Rojtarisë së Tokës Shenjte, atë Ibrahim Faltas:
- Ishin rreth 15 – 20 mijë vetë. Pjesëmarrja ishte shumë, shumë e bukur, si nga ana e vendasve, ashtu edhe nga ana e shtegtarëve. Madje morën pjesë edhe cisjordanezët, që nuk janë parë kurrë në këtë procesion. Më pas parakaluan skautët. Ishin të pranishëm 12 grupe skautësh nga mbarë Cisjordania e nga Jeruzalemi.
- Atë Faltas, kjo do të thotë se shtegtimet në Tokën Shenjte kanë rifilluar….
- Po, faleminderës Zotit, Toka Shenjte është përplot me shtegtarë. Kanë ardhur shumë italianë, por edhe amerikanë, francezë e nga vende të tjera të botës. Në këtë javë, në këto ditë, janë këtu edhe 5 mijë egjiptianë.
- Dialogu izraelo- palestinez është akoma në një pikë të vdekur?
- Për fat të keq, po, nuk ka dialog. Ne e kemi thënë gjithnjë se kur nuk ka dialog ndërmjet dy palëve, ngrihet tensioni. Ne e kërkojmë këtë: shpresojmë se dialogu do të rikthehet e se edhe qeveria e re e Kadimës do ta rifillojë dialogun me Hamasin. E në se do të fillojë dialogu, mendoj se situata do bëhet përsëri e qetë, siç ishte më parë.
- A ndjehet situata e tensionit në këto ditë të mëdha në Tokën Shenjte?
- Tani për tani gjithçka po shkon si më parë. Nuk vërehet tension. Ndoshta ka tension në Gazë, por këtu, në Cisjordani e në Jeruzalem, gjithçka është e qetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.