2006-04-10 16:46:43

Jezusi qoftë gjithnjë miku juaj më i mirë: kështu i uroi Papa të rinjtë universitarë të Opus Dei, me të cilët u takua sot në Sallën e Palit VI


( 10. 04. 06 ) RealAudioMP3 ‘Jezusi qoftë gjithnjë miku juaj më i mirë’ – u tha Benedikti XVI të rinjve universitarë të Opus Dei, të cilët i priti sot në Sallën e Palit VI në Vatikan, me rastin e takimit ‘Univ 2006’. Papa vuri theksin edhe mbi rolin e mjeteve të komunikimit, të cilat jo gjithnjë përdoren në dobi të dialogut.
Pas takimit të djeshëm me të rinjtë, me rastin e Ditës së tyre të XXI Botërore, kremtuar në nivel dioqezan, sot paradite Benedikti XVI takoi, në sallën e Palit VI në Vatikan, universitarët e Opus Dei. Gjatë takimit, Ati i Shenjtë u foli për miqësinë e krishterë 3500 të rinjve, ardhur në Romë nga 32 vende të botës për të jetuar Javën e Madhe dhe për të marrë pjesë në takimin ndërkombëtar ‘Univ 2006’. Të rinjtë shoqërohen nga Imzot Havier Eçevarria, prelat i Opus Dei.
Miqësia dhe domethënia e saj e thellë për një të ri të krishterë. Kjo ishte tema e zgjedhur nga Benedikti për fjalimin drejtuar universitarëve të Opus Dei. Ishte një takim që u zhvillua në atmosferë posaçërisht të ngrohtë e të përzemërt, aq sa të rinjtë e UNIV, ndonëse para kohet, i shprehën Papës edhe urimet për 79-vjetorin e ditëlindjes, që Ati i Shenjtë do ta kremtojë më 16 prill. Është Jezusi – shpjegoi Benedikti XVI – Ai që i drejton hapat tuaj, miqësitë tuaja në labirintin e jetës së përditshme. E pas këtyre fjalëve, Papa u drejtoi të rinjve ftesën:
“Mos e harroni kurrë, të dashur të rinj, se nga takimi e nga miqësia me Jezusin, varet lumturia juaj”.
E di mirë se për juve – vijoi Ati i Shenjtë – miqësia dhe lidhjet me të tjerët, posaçërisht me bashkëmoshatarët tuaj, përbëjnë një nga pjesët më të rëndësishme të jetës së përditshme. E më pas nënvizoi se pikërisht Jezusi duhet të jetë miku më i dashur, më i ngushtë i të rinjve dhe i të gjithë atyre që besojnë në Të:
Është e nevojshme ta quani Jezusin një nga miqtë tuaj më të dashur, madje mikun kryesor. Do të shihni, atëherë, sesi miqësia me Të do t’ju prijë e do t’ju mësojë t’ua hapni zemrën të tjerëve, që i konsideroni vëllezër”.
Benedikti XVI u ndal më pas tek tema qëndrore e Kongresit të të rinjve të Opus Dei mbi rolin e kulturës dhe të komunikimit shoqëror:
Duhet, për fat të keq, të pranojmë se jo gjithnjë në kohën tonë teknologjitë e reja dhe mjetet e komunikimit favorizojnë marrëdhëniet personale, dialogun e sinqertë, miqësinë ndërmjet njerëzve; jo gjithnjë ndihmojnë për kultivimin e jetës shpirtërore e të marrëdhënieve të njeriut me Zotin”.
Në pjesën përfundimtare të fjalimit, Papa u kthye rishtas tek tema e miqësisë. Çdo i krishterë – i nxiti të rinjtë – është i thirrur të jetë mik i Zotit e, me hirin e Hyjit, t’i bëjë miq të Zotit edhe miqtë e vet. Dashuria apostolike – vijoi të shpjegonte Papa – bëhet, në këtë mënyrë, pasion i vërtetë, që gjen shprehjen e vet në përpjekjen për t’u komuniukuar edhe të tjerëve lumturinë e provuar nga takimi me Krishtin. Për të qenë ‘apostuj të miqësisë’ - tha në përfundim Ati i Shenjtë, duke u bërë jehonë mësimeve të themeluesit të Opus Dei, Shën Hozemaria Eskrivà de Balager, duhet të kultivojmë miqësinë me Jezusin dhe të jemi plot zell në praktikimin e sakramenteve. Pas fjalimit, Papa u takua nga afër me shumë të rinj dhe bisedoi me presidentin e nderit të Republikës Italiane, Françesko Kosigën.







All the contents on this site are copyrighted ©.