2006-04-10 16:54:30

Benedikti XVI do të jetë në Poloni nga 25 deri më 28 maj


( 10. 04. 06 R. V. )Papa Benedikti XVI do të jetë në Poloni nga data 25 deri më 28 maj. Shtegtimi do të ketë gjashtë etapa: Varshavën, Çestokovën, Krakovinë, Vadovicen, Kalvaria Zebrydovskën dhe Aushvicin.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Joakin Navarro-Valls njoftoi se Papa do të shtegtojë për herë të dytë jashtë Italisë, pas udhëtimit të vitit të kaluar në Gjermani për DBR-së.
Ati i Shenjtë do të niset nga aeroporti i Fiumiçinos drejt Varshavës paraditen e së enjtes, 25 maj. Të nesërmën do të shkojë në Çestokovë, seli e shenjtërores së njohur të Zonjës Zeshkane të Jasna Gorës e prej këndej, në Krakovi, ku Karol Vojtila ishte kryeipeshkëv. Të shtunën, më 27 maj, Benedikti XVI do të jetë në Vadovice, vendlindje e Papës Gjon Pali II, e pastaj në Kalvaria Zebrudovska, seli e një shenjtëroreje tjetër mariane, e njohur në gjithë Poloninë për Udhën e Kryqit, ku Karol Vojtila i vogël shtegtonte shpesh herë. Të dielën, më 28 maj, Papa do të vizitojë kampin nazist të shfarosjes të Aushvicit. Në mbrëmje të së dielës do të rikthehet me avion nga aeroporti i Krakovisë, në Aeroportin e Çampinos, në Romë. Për këtë shtegtim Benedikti XVI foli më 3 marsin e kaluar gjatë vizitës së tij në Radio-Vatikan. Të dëgjojmë ç’ tha Papa, në mikrofonin e programit polak:
- Në maj do të shkoj në Poloni. Jam shumë i lumtur që do të vizitoj vendin e Papës së madh e të dashur, Gjon Palit II. E njoh Vadovicen, vendin ku ka lindur, e tani të kthehem në këto vise, të përtrij kujtimin e kësaj figure të madhe, të takoj popullin polak, që në kohë të vështira ka dëshmuar një forcë të jashtzakonshme feje, duke u bërë shembull për Evropën e për të gjithë, për mua është gëzim i madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.