2006-04-09 17:38:18

Në të Dielën e Larit Papa nënvizoi misterin e Krishtit e të Kryqit, duke ftuar për të mos iu kundërvënë kurrë dhunës me dhunë. Bekoi edhe Kryqin e Ditës Botërore të Rinisë që do të arrijë në Sidnei


( 09. 04. 06 R. V. )Sot, e Diela e Larit, Papa Benedikti XVI kujtoi hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, nënvizoi misterin e Kryqit, shpjegoi se dhuratat e Krishtit janë varfëria, paqja e universaliteti dhe bëri thirrje për të mos iu kundërvënë dhunës me dhunë. E, në Ditën Botërore të Rinisë, kremtuar në nivel dioqezan, bekoi Kryqin i cili, pas një shtegtimi të gjatë, do të arrijë në Sidnei.
Krishti vjen për të ndërtuar mbretërinë e paqes në mes të kësaj bote të copëzuar. Këtë pohoi Papa Benedikti XVI, duke shpjeguar profecinë e përmbushur kur Jezusi hyn në Jeruzalem i brohoritur nga turma. E më pas Ati i Shenjtë kujtoi se e Diela e Larit tashmë është bërë ditë e rinisë e se sot kremtohej Dita Botërore e Rinisë në nivel dioqezan. Edhe simboli i DBR-së, Kryqi prej druri, që shtegton nëpër botë nga një takim në tjetrin, ishte një çast tjetër i fortë i reflektimit të Papës në homelinë e kremtimit eukaristik në Sheshin e Shën Pjetrit, e pastaj edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pas lutjes mariane, Benedikti XVI u kthye në apartamentin e tij e më pas u duk rishtas në dritaren e studios private për t’i përshëndetur edhe një herë të rinjtë, të cilët e pritën me brohoritje e duartrokitje të stuhishme.
Varfëri, paqe, universalitet: janë tri pikat kryesore për kuptimin e profecisë së përmbushur me hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, që kujtohet të Dielën e Larit. Krishti hyn në Jeruzalem shaluar mbi një zog gomarice, siç na tregon shën Gjoni Ungjilltar, e pikërisht këtë e kishte parafolur Zakaria profet. Është elementi i parë e varfëria e parë: gomari është kafshë e thjeshtë, që përdoret nga njerëzit e zakonshëm të fshtatit - shpjegoi Papa - duke shtuar se edhe atë kafshë Krishti e kishte marrë hua e duke nënvizuar se dishepujt vetëm më pas arritën ta kuptonin se kështu Zoti përmbushte një profeci të rëndësishme. Por Benedikti XVI u ndalua edhe tek koncepti i varfërisë, për të shpjeguar se me varfëri nuk kuptojmë mungesën e pasurisë, por gjendjen shpirtërore, dëshirat e zemrës: mund të jesh i varfër, por ta kesh zemrën plot me zili e me etje për pasuri. Në përpjekjen për ta pastruar zemrën – këshilloi Papa – pasjen duhet ta pranojmë si përgjegjësi, si detyrë ndaj të tjerëve. E më pas Ati i Shenjtë nënvizoi se “liria shpirtërore është kushti paraprak për kapërcimin e korrupsionit e të lakmisë, që tashmë kanë marrë dhenë”.
Nga varfëria, pastaj kalohet tek paqja e tek universaliteti, dhanti të tjera të Krishtit që vjen. Në profeci lexojmë: “Harku i luftës do të coptohet, ai do t’u kumtojë paqen njerëzve: e ne tani e kuptojmë se Krishti e kumton paqen përmes Kryqit – theksoi Benedikti XVI duke krijuar një figurë të bukur:
“Ai është harku i copëzuar, ylberi i ri, i vërtetë i Hyjit, që bashkon qiellin me tokën e hedh një urë mbi humnerat ndërmjet kontineteve”.
Më pas Papa e quajti Kryqin edhe ‘arma e re’ që na jep Jezusi në dorë, shenjë pajtimi, simbol dashurie, që është më e fortë se vdekja. E Ati i Shenjtë na këshillon t’i bëjmë me gjithë shpirt gjestet që për ne, të krishterët, janë të zakonshme:
“Sa herë bëjmë shenjën e Kryqit, duhet të kujtohemi të mos i kundërvihemi padrejtësisë me një padrejtësi tjetër, dhunës me një tjetër dhunë; të kujtojmë se mund të fitojmë mbi të keqen vetëm me të mirë e të mos ia kthejmë askujt të keqen me të keqe”.
Shenjtëria e Tij vijoi të shpjegonte se paqja është edhe universale: në profeci flitet për mbretërinë, duke theksuar se ajo do të shtrihet nga deti në det, deri në kufijtë e tokës. E Benedikti XVI na fton të kujtojmë rrjetin e bashkësisë eukaristike që rrok botën mbarë – një rrjet bashkësish që përbëjnë Mbretërinë e paqes së Krishtit nga deti në det deri në kufijtë më të largët të tokës.
Papa na kujton se britma e shpresës që lartohet në Izrael, brohoritja e Jezusit në sa hyn në Jeruzalem, me të drejtë është bërë në Kishë brohoritje për Atë që në Eukaristi vjen të na takojnë në një mënyrë krejt të re.
E gjithë kjo përmblidhet në shenjën e Kryqit. Lidhur me këtë Papa ripohoi çka është më themelore për t’u kuptuar: “Kryqi është druri i vërtetë i jetës” Nuk mund ta gjejmë jetën duke e zotëruar, por duke e dhuruar.
“Dashuria është dhurim i vetvetes, e prandaj është rruga e jetës së vërtetë e simbolizuar nga Kryqi”.
Papa kujtoi se kryqi konkret, që ishte kohët e fundit në qendër të DBR-së së Këlnit, iu dorëzua sot një delegacioni të posaçëm për të nisur shtegtimin drejt Sidneit, ku – tha Shenjtëria e Tij – në vitin 2008 rinia e botës do të mblidhet përsëri rreth Krishtit për të ndërtuar së bashku me Të mbretërinë e paqes. E nga Këlni në Sidnei duhet shtegtuar përmes kontinenteve e kulturave, përmes botës së copëzuar e të trazuar nga dhuna.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke rikujtuar temën e fortë të Kryqit, Benedikti XVI përshëndeti në gjuhë të ndryshme besimtarët e shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të kremtuar të Dielën e Larit e posaçërisht të rinjtë që po kremtonin Ditën e tyre Botërore në nivel dioqezan. Kryqi që kalon nga të rinjtë tek të rinjtë, është Kryqi që i dashuri Gjon Pali II ua pati besuar atyre në vitin 1984, që ta çonin kudo në botë si shenjë të dashurisë së Krishtit për njerëzimin. Më pas Papa përshëndeti kardinalin Joakim Maisner, kryeipeshkëv i Këlnit si dhe kardinalin Gjorgj Pel, kryeipeshkëv i Sidneit, të pranishëm në çastin prekës kur Kryqi i Krishtit kaloi nga supet e të rinjve gjermanë, mbi supet e të rinjve australianë, për të nisur një rrugë në të cilën u prin feja:
“Këtë fe na e mëson e Shenjtnueshmja Virgjëra Mari, e cila besoi e para e e mbarti kryqin e vet së bashku me të Birin, duke shijuar më pas me Të, gëzimin e ngjalljes. Prandaj kryqi i të rinjve shoqërohet nga një figure e Virgjërës”.

Kryqi, pra, shoqërohet nga figurja mariane e Ditëve të Rinisë e sivjet do të ndalohet edhe në disa vende të Afrikës, për t’u shprehur – theksoi Papa – afërsinë e Krishtit e të Nënës së Tij popullsive të këtij kontinenti, që kanë vuajtur e vijojnë të vuajnë aq shumë. Duke filluar nga shkurti i ardhshëm Kryqi e Figurja e Zojës do të shkelin në vende të ndryshme të Oqeanisë, për të përshkuar më pas dioqezat e Australisë e për të arritur së fundi në Sidnei, në korrik të vitit 2008. Është një shtegtim shpirtëror- shpjegoi Papa – në të cilin merr pjesë gjithë bashkësia kishtare e posaçërisht të rinjtë.
E Sheshi i Shën Pjetrit sot gumëzhinte pikërisht nga të rinjtë, që kremtuan së bashku me Papën, të Dielën e Larit e Ditën e tyre XXI Botërore me temë “Llambë për hapat e mi është fjala jote, dritë në rrugën time”.







All the contents on this site are copyrighted ©.