2006-04-06 17:22:24

Takim i drejtuesve të punës baritore me të rinjtë nga gjithë bota, organizuar nga Këshilli Papnor për Laikët në Sasone, pranë Romës


( 06. 04. 06 R. V.) Duke filluar që sot pasdite e deri të shtunën e ardhshme në Sasone, në rrethinat e Romës, vijon takimi botëror i drejtuesve të DBR-së.
Filluan sot në Sasone, në rrethinat e Romës, punimet e takimit ndërkombëtar të drejtuesve të Ditëve Botërore të Rinisë. Takimi organizohet nga Këshilli Papnor për laikët. Në mikrofonin tonë, drejtuesi i sektorit të rinisë, në gjirin e Këshillit Papnor për laikët, imzot Frensis Kohn:
- Imzot, para së gjithash, a mund të na thoni diçka për qëllimin e këtij takimi…

- Pas çdo takimi botëror, Këshilli ynë i fton të gjithë delegatët e punës baritore me rininë, të cilët vijnë me shumicë. Këtë radhë janë 250, nga më se 85 vende të ndryshme. Janë të deleguar të Konferencave ipeshkvnore dhe të lëvizjeve kishtare ndërkombëtare. Së pari, kanë ardhur të bëjnë një vlerësim të DBR-së në këndvështrimin baritor e logjistik. Mund të themi, prandaj, se ky takim i organizuar me rastin e DBR, që do të kremtohet të Dielën e Larit, shënon me të vërtetë një hap përgatitor përpara drejt Sidneit 2008.

- Do të ketë edhe kalimin e Kryqit nga të rinjtë e Këlnit, në duart e të rinjve të Australisë…

- Kalimi i Kryqit do të bëhet në Meshën e Palmave në Sheshin e Shën Pjetrit. Është një traditë e madhe. Është simbol, flakë që kalon nga një vend tek tjetri, nga një kishë lokale tek tjetra. Delegacioni i të rinjve gjermanë do t’ua kalojë kryqin të rinjve australianë e do të fillojë kështu përgatitja për këtë ngjarje të madhe. Por ka edhe diçka të re. Para se të niset për në Oqeani, për herë të parë Kryqi do të shtegtojë drejt Afrikës. Të hënën e ardhshme do të kalojë në Senegal e më pas do të përshkojë njëzet vende të ndryshme të Kontinentit të Zi, para se të arrijë, në shkurt të vitit 2007, në Australi, ku do të shtegtojë nëpër të gjitha dioqezat australiane për përgatitjen e tyre baritore.

- Tema e sivjetme e Ditës Botërore të Rinisë është: “Llambë për hapat e mi është fjala jote, dritë në rrugën time”. Si e konceptoni ju këtë temë?

- Është shumë interesante të shikosh sesi Papa për herë të parë, në mesazhin e tij të parë drejtuar të rinjve, zgjodhi fjalët e një Psalmi nga Besëlidhja e Vjetër. E kjo, sepse Fjala e Zotit është pikë mbështetjeje, është – siç shkruan Ati i Shenjtë në mesazhin e Ditës, busull, e cila tregon udhën që duhet ndjekur. Kështu Papa u shpjegon të rinjve rëndësinë që ka dëgjimi i Fjalës së Zotit, për ta vënë pastaj në praktikë. Prandaj kërkon nga të rinjtë që të kenë familjaritet me Biblën, ta kenë gjithnjë pranë Shkrimin Shenjt, ta lexojnë e ta meditojnë. Papa thekson se kjo Fjalë është shkëmb, mbi të cilin duhet ta ndërtojnë jetën e tyre. Gjëja më e rëndësishme është se filli i drejtpërdrejtë i këtij mesazhi është sidomos shtegtimi shpirtëror, Shpirti Shenjt e misioni. Kështu Papa ka përcaktuar edhe temat për dy vitet e ardhshme. Këtë vit Ati i Shenjtë ka kërkuar të vihet në qendër të vëmendjes Shpirti Shenjt, Shpirti i së vërtetës, që na bën ta njohim Krishtin si person të gjallë e që na prin drejt së vërtetës së plotë. Tema e vitit të ardhshëm do të jetë ajo e dashurisë. Do të thellohemi së bashku me Papën në kuptimin e Shpirtit Shenjt, që ngjall në zemrën tonë dashurinë konkrete, e cila vihet në jetë për të ndihmuar vëllezërit tonë, ata që vuajnë materialisht e shpirtërisht. Shërbimi më i madh është të punosh për shpëtimin e të gjithë njerëzve. Tema e fundit, që do të jetë në qendër të takimit të Sidneit në vitin 2008, është një verset i shkëputur nga Veprat e Apostujve: “Do të merrni forcë nga Shpirti Shenjt, që do të zbresë mbi ju e do të jeni dëshmitarët e mi”. Do të jetë pra, në qëndër të vëmendjes, lidhja ndërmjet Shpirtit Shenjt e misionit, vetë Shpirti Shenjt i pranishëm, i kuptuar thellë, të cilit i lutemi si Shpirti i forcës dhe i dëshmisë. Gjithë ky fill po shtjellohet në Sasone e Papa do ta përmendë në homelinë e së Dielës së Larit.

- Cili është trashëgimi që u ka lënë Gjon Pali II të rinjve e ç’i thotë sot të rinjve Benedikti XVI?

- E dimë të gjithë se Gjon Pali II ka luajtur një rol themelor, sepse është ai që e kuptoi rëndësinë e të rinjve për Kishën e për botën. Është ai që pati intuitën profetike të Ditëve Botërore të Rinisë dhe të gjithë e njohim këtë lidhje që s’mundi ta këpuste as vdekja. E kjo lidhje vijon, sepse sa herë që të rinjtë mblidhen në një veprimtari, në një takim, vijojnë ta kujtojnë Gjon Palin II, që do të mbetet përgjithnjë Papa i madh i të rinjve e i Kishës. Pasardhësi i tij, e dimë të gjithë, ndryshon shumë nga Papa Vojtila. Por nuk mund të mos prekesh kur kujton se në Këln Ati i Shenjtë iu përshtat menjëherë të rinjve si atë, me stilin e tij shumë të ndryshëm. I preku thellë të rinjtë me thjeshtësinë e tij, me përvujtërinë, me ëmbëlsinë dhe thellësinë e fjalëve, të cilat të rinjtë kanë mundësi t’i studiojnë më për së afërmi, duke rilexuar fjalimet dhe homelitë e ndryshme. Ky është filli që lidh të rinjtë me me Kryebariun e Kishës, me Papën. E lidhja është bërë më e lehtë për faktin se Papa Benedikti XVI e kujton gjithnjë Paraardhësin e tij të dashur. Prandaj të rinjtë nuk ndeshin asnjë vështirësi. Kardinali Maisner ka thënë gjithnjë se Dita Botërore e Rinisë e Këlnit u dallua nga të tjerat, për faktin se ishin të pranishëm njëherësh, dy papë: i pari, Papa Gjon Pali II, nga qielli, e i dyti, Papa Benedikti XVI në mes të të rinjve. Të rinjtë që e kanë njohur Gjon Palin II vijonë, përmes figurës së Benediktit XVI, ta ndjekin Krishtin e ta duan Kishën.







All the contents on this site are copyrighted ©.