2006-04-06 17:09:20

Festë e madhe sonte në Sheshin e Shën Pjetrit për takimin e Papës me të rinjtë në prag të Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet të Dielën e Larit


( 06. 04. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Sonte Benedikti XVI u takua, në Sheshin e Shën Pjetrit, me të rinjtë e dioqezës së Romës në përgatitje të Ditës XXI Botërore të Rinisë.
Festë e madhe sonte në Sheshin e Shën Pjetrit, ku Benedikti XVI u takua me të rinjtë e dioqezës së Romës në përgatitje të Ditës Botërore të Rinisë, e cila sivjet kremtohet në nivel dioqezan të Dielën e Larit.
Takimi tingëlloi si prelud i Meshës, që do të kryesohet nga Papa të dielën paradite, me rastin e DBR-së, në të cilin morën pjesë këngëtarë të njohur si Ron, Povia e Simona Bençini. Ndërmjet këngëve, të rinjtë ndoqën dëshmi të ndryshme mbi vlerën e jetës, të familjes e të faljes. Folën motra e Don Andrea Santoros, meshtarit të vrarë në Turqi në shkurtin e kaluar, kampioni olimpik Enriko Fabris si dhe një çift të rinjsh të sapo martuar. Papa iu përgjigj pyetjeve të të rinjve, të cilëve më pas u dorëzoi, përmes disa përfaqësuesve të tyre, Shkrimin Shenjt dhe i porositi ta dëgjojnë me vëmendje Fjalën e Zotit, që ajo të bëhet gjithnjë më shumë llambë për hapat e tyre e dritë në rrugën ku ecin.

“Duajeni Fjalën e Zotit e duajeni Kishën, që ju krijon kushtet për të hyrë në një thesar me vlera tepër të larta, duke ju ndihmuar që ta vlerësoni gjithë këtë pasuri – tha Papa dhe në vijim u drejtoi të rinjve ftesën: “ Qëndroni besnikë fjalës, që sonte simbolikisht Kisha po jua dorëzon permes Pasardhësit të Shën Pjetrit, të sigurtë se, siç thotë Shën Gjoni Ungjilltar – po t’i qëndroni besnikë Fjalës së Krishtit, do të jeni vërtetë nxënësit e Tij; do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë!”

 
Pas një liturgjie të shkurtër të Fjalës së Zotit, Benedikti XVI kujtoi përsëri Papën Gjon Pali II dhe i ftoi të rinjtë të imitojnë fenë e tij të patundur. “Do të shkoj së bashku me disa nga ju tek varri i Tij – tha më pas Benedikti XVI - duke mbartur Kryqin e Vitit Shenjt, që jua dorëzoi në fillim të Ditëve Botërore të rinisë dhe ikonën e Zojës së Bekuar, Salus Populi Romani ( Shpëtimi i Popujve Romakë). E më pas shtoi:

“T’i lutemi Zotit ta shpërblejë Papën Gjon Pali II për veprën e tij të madhe të përhapjes së Ungjillit në botë e t’i kërkojmë për vete të njëjtin zell apostolik, që Fjala e Shëlbimit, përmes veprimtarisë së Kishës, të përhapet në çdo mjedis jete e të arrijë tek çdo njeri, deri në skajet më të largëta të tokës”.

Në përfundim të këtyre fjalëve të Papës, rreth orës 19. 27, 18 të rinj të dioqezës së Lazios dhe 6 të rinj që morën në dorëzim Shkrimin Shenjt, të prirë nga Kryqi dhe Bibla, së bashku me Atin e Shenjtë, zbritën me proçesion në Kriptën e Vatikanit e u gjunjëzuan para varrit të Gjon Palit II, ku lexuan lutjen për lumnimin e tij sa më të shpejtë.
Takimi përfundoi rreth ores 19. 50. Të rinjtë u shpërndanë, në pritje të takimit të dytë të madh me Papën, të Dielën e Larit, për të kremtuar Ditën e tyre XXI Botërore.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.