2006-04-05 15:15:01

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan foli mbi “Bashkimin që ekziston në Kishën,


( 05. 04. 06 R. V. ) RealAudioMP3 dhuratë e dashurisë dhe e së vërtetës së frymëzuar nga Shpirti Shenjtë Zot, nuk mund të jetohet me atë që refuzon e që nuk pranon të jetojë në gjirin e vet Kishës”.“Pasardhësit e Apostujve janë mbrojtës të së vërtetës së Krishtit e dëshmitarë të dashurisë”- kështu u shpreh sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, kushtuar “Shërbimit të bashkimit”.
Kjo e sotme ishte audienca e 45-të e përgjithshme, që nga fillimi i papnisë së Benediktit XVI, e 13-ta e vitit 2006 e, sidomos, audienca e katërt në të cilën katekizmi i kushtohet lidhjes së ngushtë ndërmjet Krishtit e Kishës.
Në audiencat e para Papa Ratzinger përmbylli ciklin e katekizmit të nisur nga paraardhësi i tij, Gjon Pali II dhe më pas filloi ciklin e ri të katekizmit, të cilin sot ia kushtoi “Shërbimit të bashkimit”. Me ciklin e ri të katekizmit, Papa po thekson rolin qëndror të Kishës dhe të atyre që i shërbejnë, në jetën e popullit të Zotit e të përhapjes së fesë.
Në fillim të katekizmit, Ati i Shenjtë citoi Shën Ireneun, një martir të cilin e quajti ‘njeriu që i hapi rrugën teologjisë sistematike e që foli për lidhjen e ngushtë ndërmjet Kishës e Shpirtit Shenjt’. Ku është njëra – nënvizoi Ati i Shenjtë - është tjetri e me ta, hiri e vërtetësia. Kjo lidhje e ngushtë – vijoi Papa – nuk e zhduk karakterin tonë njerëzor me të gjitha ligështitë e veta, prandaj edhe bashkësia e nxënësve të Krishtit e njeh mirë provën, që buron posaçërisht nga kontrastet lidhur me të vërtetat e fesë, me pasojë dëmtimin e bashkimit dhe lindjen e përçarjeve. Siç ekziston bashkimi i dashurisë që nga fillimi – ashtu që nga fillimi nis edhe ndarja – tha Papa, duke cituar Shën Gjonin, Apostullin e dashur nga Jezusi: “Dolën nga mesi ynë, por nuk ishin tonët; po të ishin tonët, do të rrinin me ne: por duhej bërë e qartë se jo të gjithë janë nga tanët dhe se rreziku i humbjes së fesë është tepër i madh”. Kush largohet nga Kisha, e vetmja rojtare e mesazhit të Krishtit, nuk jeton më në bashkim me të.
E me që së bashku me Kishën, që nga zanafilla, lindën edhe ndarjet, prej këndej mund të themi se, theksoi Papa:
"…është një detyrë e qartë për atë që beson në Kishën e dashurisë e dëshiron të jetojë në Kishë, ta ndërpresë bashkimin me kë është larguar nga doktrina që shëlbon".
Këtë u shpjegoi sot Papa 30 mijë besimtarëve që morën pjesë në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit.
Më pas Ati i Shenjtë theksoi se edhe për këtë arsye Besëlidhja e Re ngul këmbë mbi realitetin dhe detyrën e dashurisë vëllazërore ndërmjet të krishterëve. Por familja e Zotit, për të jetuar në bashkim e në paqe – vijoi Ati i Shenjtë – ka nevojë për dikënd që t’ia ruajë të vërtetat e ta udhëheqë me gjykim të urtë e autoritar; e ky është shërbimi i Apostujve.
"Apostujt dhe pasardhësit e tyre janë rojtarë dhe dëshmitarë me autoritet të të vërtetave të fesë që i janë dorëzuar Kishës, ashtu siç janë edhe shërbyes të dashurisë së zbuluar e të dhuruar nga Zoti Jezus" – tha Benedikti XVI - dhe vijoi të shpjegonte se shërbimi pasardhësve të apostujve është mbi të gjitha shërbim dashurie, ndërsa dashuria që ata e jetojnë dhe e promovojnë, është e pandashme nga të vërtetat që ruajnë e transmetojnë.
"E vërteta dhe dashuria – tha Papa – janë dy fytyrat e së njëjtës dhanti që vjen nga Hyji e që, në saje të shërbimit apostolik, ruhet në Kishë e arrin deri në ditët tona".
Duke folur jashtë tekstit zyrtar, Papa Ratzinger shpjegoi se dëshiron të thellohet në studimin e zanafillës së Kishës, për të kuptuar planin fillestar të Jezusit për Kishën që po lindte, për të marrë vesh thelbësoren e mënyrën sesi duhet ta jetojmë qenien tonë në Kishë.
Papa nënvizoi me forcë edhe se vazhdimësia apostolike ka funksionin të garantojë vazhdimësinë e pranisë së Krishtit në Kishë e në histori dhe, në përfundim të katekizmit, uroi që ipeshkvijtë ta kryejnë plotësisht detyrën e tyre duke vepruar në mënyrë që drita e dashurisë dhe e së vërtetës të mos shuhet kurrë në botë.

Gjatë sintezës së katekizmit në gjuhë të ndryshme, duke u folur shtegtarëve polakë, disa nga të cilët ndoqën të gjitha kremtimet përkujtimore të kryevjetorit të vdekjes së Papën Vojtila, Ati i Shenjtë i falënderoi përsëri për papninë e Gjon Palit II:
“Së bashku me juve – u tha 1500 polakëve të pranishëm në audiencë – falënderoj Zotin për papninë e Paraardhësit tim të madh. Prania e tij shpirtërore dhe pasuria e mësimit të tij na përforcojnë në fe e na ndihmojnë të ecim drejt takimit me Krishtin”.

 
Ndërsa duke iu drejtuar besimtarëve spanjollë, nënvizoi se lutet që në Spanjë të thellohen përpjekjet për konsolidimin e horizonteve të paqes, që duket se po hapen në Vendet Baske dhe në të gjithë Spanjën, si dhe që të kapërcehen pengesat që mund të dalin gjatë kësaj rruge.
Në përfundim të audiencës, ndërmjet tjerash, Papa mori si dhuratë një qingj të sapolindur të vënë në një shportë. Ishte simbol tepër shprehës i atmosferës së Pashkëve që po afrohen.







All the contents on this site are copyrighted ©.