2006-04-04 17:25:48

Takimi V botëror i familjeve me Papën në Spanjë nga 1 deri më 9 korrikun e ardhshëm, rast i përshtatshëm për të zbuluar bukurinë e martesës


( 04. 04. 06 R. V. )“Transmetimi i fesë në familje”: kjo është tema e zgjedhur për takimin Botëror të familjeve me Papën. Takimi do të mbahet në Valencia të Spanjës nga 1 deri më 9 korrikun e ardhshëm.
“Është rast i përshtatshëm për të zbuluar e për të shpallur përsëri bukurinë e thirrjes, që të nxit të martohesh e të krijosh familje, në këtë çast të historisë, përplot me pyetje të vështira e shpresa të mëdha”- kështu ipeshkvijtë spanjollë, në përfundim të Asamblesë së tyre plenare mbajtur në Madrid, vënë në dukje, në një Mesazh, zemrën e kësaj ngjarjeje, që do të mbledhë në Valencia, sipas parashikimeve, një milion e gjysëm përfaqësues të familjeve nga mbarë bota e, sigurisht edhe nga Shqipëria e trevat shqiptare, e cila që nga viti 1994 merr pjesë rregullisht në të gjitha takimet e kësaj natyre. Kulmi i kremtimeve do të arrijë në takimin me Benediktin XVI, që do të jetë në qytetin spanjoll më 8 e më 9 korrik, për të kumtuar Ungjillin e familjes, vlera e së cilës – siç shkruajnë ipeshkvijtë – është qendrore për shoqërinë e për Kishën.
Dy janë çastet kryesore të takimit: ai i së shtunës, me arritjen e Papës, dhe i së dielës, me kremtimin e Meshës Shenjte. Qëllimi kryesor i Takimit V Botëror të familjeve – kujtojmë se takimi i parë u thirr në vitin 1994 nga Gjon Pali II - është të ndihmojë për forcimin e identitetit të familjes të bazuar mbi martesën, si vend ku njerëzit marrin dhantinë e jetës dhe nxitjet e duhura për ta jetuar atë me dinjitet. Por në se Ungjilli i jetës ka qenë gjithnjë i rëndësishëm – vëren episkopati spanjoll - sot është posaçërisht urgjent. Populli ynë – shkruajnë ipeshkvijtë – e vlerëson shumë familjen. Të rinjtë dëshirojnë të formojnë familje të lumtura, pavarësisht nga vështirësitë, që nuk mungojnë kurrë. Ne besojmë – vijon mesazhi i prelatëve – se të jesh dhëndërr e nuse, burrë e grua, baba e nënë, duhet të jetë diçka e domosdoshme për të pritur fëmijët e për t’u kujdesur për shëndetin e tyre fizik e shpirtëror, mjedis i ekologjisë njerëzore, shenjtërore e jetës dhe e shpresës së shoqërisë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.