2006-04-04 17:17:01

Ritet që do të kryesohen nga Benedikti XVI në Javën e Madhe të parë të Papnisë së tij. Pashkët përkojnë me 79-vjetorin e ditëlindjes së Atit të Shenjtë


RealAudioMP3 ( 04. 04. 06 R. V.) U publikua programi i kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Papa. Dita e Pashkëve përkon me ditëlindjen e Benediktit XVI, që mbush 79 vjeç.
Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë – përfundojnë Kreshmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi sot programin e kremtimeve të Javës së Madhe që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë. Java e Madhe nis me të Dielën e Larit, më 9 prillin e ardhshëm, e arrin kulmin me Triditshën e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik.

Në Javën e Madhe – shkruan Imzot Piero Marini, Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike Papnore – Kisha kremton misteret e shëlbimit: vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili, duke vdekur, e shkatërroi vdekjen e, duke u ngjallur, na dha përsëri jetën ne të gjithëve”.
Benedikti XVI do t’i kryesojë të gjitha ritet e Javës së Madhe, duke filluar më 9 prillin e ardhshëm, në orën 9. 30, me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit për të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit. Kjo datë përkon me Ditën XXI Botërore të Rinisë me temë “Llambë për hapat e mi është fjala jote, dritë në rrugën time” (Ps. 118, 105), që do të kremtohet në nivel dioqezan. Para se të fillojë procesioni eukaristik, Ati i Shenjtë do të bekojë larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të procesionit, do të kremtojë Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit.

Të Martën e Madhe, më 11 prill, në orën 17. 30, kardinali Xhejms Frensis Staford, Kryependestar, i ngarkuar nga Ati i Shenjtë, do të kryesojë në Bazilikën e Vatikanit ritin e rrëfimit, duke rrëfyer pendestarët e duke ua zgjidhur individualisht mëkatet.
 
Të Enjten e Madhe, më 13 prill, Shenjtëria e Tij do të kryesojë bashkëkremtimin e Meshës së Bagmit në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa pasdite, Meshën e Darkës së Fundit të Krishtit në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët 12 burrave. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt bamirësie si ndihmë për realizimin e projektit të rindërtimit të shtëpive për viktimat e shkarjeve të dheut, që në shkurtin e kaluar shkatërruan një pjesë të mirë të territorit të dioqezës së Maasinit, në Filipine, duke shkaktuar edhe vdekjen e qindra njerëzve. Shuma që do të mblidhet do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave.
Të Premten e Madhe, më 14 prill, në orën 17. 00, Papa do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj, në mbrëmje, në orën 21. 15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseo.
Të Shtunën e Madhe, me 15 prill, në orën 22. 00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës, ndërsa të dielën, më 16 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën 10. 30, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në Sheshin e Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’. Këtë vit Pashkët, ndërmjet tjerash, përkojnë me ditëlindjen e Atit të Shenjtë që pikërisht më 16 prill mbush 79 vjet: tri ditë më pas, më 19 prill, mbushet një vit nga fillimi i papnisë së Benediktit XVI







All the contents on this site are copyrighted ©.