2006-04-03 18:09:19

Sot pasdite Mesha e Papës Benediktit XVI në kujtim të Gjon Palit II në përvjetorin e parë të vdekjes. Mbrëmë, nata e lutjes në Sheshin e Shën Pjetrit


RealAudioMP3 (03. 04. 06. R. V.)“Dëgjojmë si na jehojnë në shpirt thirrjet e përsëritura të Papës Gjon Pali II për të ecur pa frikë në rrugën e besnikërisë ndaj Ungjillit, për të qenë kasnecë e dëshmitarë të Krishtit në Mijëvjeçarin e Tretë e, sidomos, për t’i mbajtur gjithnjë sytë ngulur tek Krishti, që është i njëjti dje, sot e përgjithmonë e jetës e që i prin Kishës së tij” – këtë theksoi sot pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit Benedikti XVI në Meshën për shpirt të Gjon Palit II në përvjetorin e parë të vdekjes. Pjesëmarrje e jashtzakonshme sonte e mbrëmë në natën e lutjes mariane në kujtim të Papës Vojtila i cili – tha Benedikti XVI – vijon të ngjallë në zemrat e të gjithëve entuziazmin për të mirën dhe guximin për të ndjekur Jezusin.
Sot pasdite, duke nisur nga ora 17. 30, Benedikti XVI kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën e përshpirtjes për Gjon Palin II në kryevjetorin e vdekjes.
Në homelinë e këtij flijimi eukaristik për shpirtin e zgjedhur të Papës Gjon Pali II, Ati i Shenjtë u përqëndrua në komentin e leximeve biblike, lidhur ngushtë me figurën madhore të Papës Vojtila. Duke pasur parasysh leximin e parë nga Libri i Urtisë, Ati i Shenjtë kujtoi se fati i fundmë i të drejtëve është lumturia e plotë, që i shpërblen pa masë për vuajtet e provat e përballuara gjatë jetës. ‘Zoti i vuri në provë – na kujton teksti i shenjtë – e i gjeti të denjë për vetveten, sepse ata flijuan gjithçka për Hyjin’. E kjo na bën të mendojmë për Gjon Palin II, që flijoi gjithë jetën për Zotin e për Kishën posaçërisht në kremtimin e Eukaristisë.
Ndër lutjet e tij më të dashura, të cilën e përsëriste vazhdimisht – kujtoi Benedikti XVI - ishte: “Jezus Kryemeshtar, ti që e lëshove vetveten në duart e Hyjit si dhuratë e si flije, kij mëshirë për ne!” E pikërisht kjo lutje shpreh më së miri karakterin e tij meshtarak e dëshirën e tij më të madhe: ‘Të bëhej një gjë e vetme me Krishtin Meshtar, përmes flijimit eukaristik, që është burim i përkushtimit të palodhur apostolik.
Natyrisht, në themel të dhuratës së tij të plotë ishte feja e patundur - vijoi Papa – dhe më pas, duke komentuar leximin e dytë, u ndal posaçërisht tek simboli i arit që provohet në zjarr. Jeta tregon se qëndrueshmëria, pastërtia e patundshmëria e fesë së vërtetë provohen pikërisht ndër vështirësitë e jetës. E Papa Gjon Pali II, të cilin Zoti e kishte pajisur me dhanti të shumta njerëzore e shpirtërore, duke kaluar nëpër furrën e mundimit apostolik e të sëmundjes, na u duk gjithnjë më tepër si shkëmb i fesë. E kush pati fatin ta njohë nga afër – shpjegoi Benedikti XVI – mundi gati-gati ta prekë me dorë këtë fe të kulluar e të patundur, që i emocionoi thellë bashkëpunëtorët e ndikoi fuqimisht mbi gjithë jetën e Kishës, duke u rritur vazhdimisht, derisa arriti kulmin në muajt dhe ditët e fundit të jetës së tij. Ishte fe plot bindje, e fortë, e vërtetë, e lirë nga çdo frikë e kompromis, që preku zemrat e shumë njerëzve. E kjo, në saje të shtegtimeve të vazhdueshme apostolike në të katër anët e botës e sidomos, në sajë të shtegtimit të fundit, agonisë dhe vdekjes së tij - komentoi Papa - e në vijim, duke pasur parasysh faqen e Ungjillit, kujtoi se Gjon Pali II deshi t’i përngjante Gjonit, apostullit të dashur të Krishtit, duke u bërë Bir i Virgjërës Mari tek këmbët e Kryqit. Prandaj motua e shënuar në stemën e papnisë së Gjon Palit II, ‘Totus tuus’, e përmbledh mirë gjithë këtë përvojë shpirtërore dhe mistike, gjatë një jete të orientuar plotësisht drejt Krishtit përmes Virgjërës Mari: ‘ ad Iesum per Mariam’.
Në vijim Benedikti XVI rikujtoi me emocion të thellë çastin e vdekjes të Papës së dashur, por njëkohësisht theksoi:
“Dëgjojmë si na jehojnë në shpirt thirrjet e tij të përsëritura për të ecur pa frikë në rrugën e besnikërisë ndaj Ungjillit, për të qenë kasnecë e dëshmitarë të Krishtit në Mijëvjeçarin e Tretë. Na kthehen në mendje nxitjet e tij të vazhdueshme për të bashkëpunuar bujarisht në realizimin e një bote më të drejtë e më solidare, për të qenë veprimtarë të paqes e ndërtimtarë të shpresave. E, sidomos, për t’i mbajtur gjithnjë sytë ngulur tek Krishti, që është i njëjti dje, sot e përgjithmonë e jetës e që i prin Kishës së tij.
Forca e Shpirtit të Jezusit qoftë për të gjithë, siç qe për Papën Gjon Pali II, burim paqeje e gëzimi – uroi në përfundim të homelisë Benedikti XVI.

Ndërsa mbrëmë, në Natën mariane të lutjes, organizuar nga dioqeza e Romës në Sheshin e Shën Pjetrit për të kujtuar Karol Vojtilën, ishin të pranishëm 80 mijë besimtarë e shtegtarë. Në orën 21 Benedikti XVI u bashkua, nga dritarja e studios së tij private, me besimtarët që vijonin Rruzaren Shenjte.
2 prill 2005 – 2 prill 2006, Sheshi i Shën Pjetrit ishte si një vit më parë. Rreth 80 mijë besmtarë u kthyen rishtas në këtë Shesh për t’u lutur në kujtim të Gjon Palit II një vit pas vdekjes së tij. Posaçërisht prekës çasti kur u hap dritarja e studios private të Papës dhe zëri i Tij u bashkua me zërat e mijëra besimtarëve që vijonin Rruzaren Shenjte, në përfundim të së cilës , në orën 21 . 37, pikërisht në orën kur vdiq Gjon Pali II, Benedikti XVI e kujtoi kështu Paraardhësin e tij të dashur: “Kaloi tashmë një vit nga vdekja e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Por ai vijon të jetë i pranishëm në mendjen tonë e në zemrën tonë; vijon të na përcjellë dashurinë për Hyjin e dashurinë për njeriun; vijon të ngjallë ndër të gjithë, posaçërisht ndër të rinjtë, entuziazmin për të mirën e guximin për ta ndjekur Jezusin e mësimet e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.