2006-04-03 18:56:39

Porosia e Gjon Palit II lënë shqiptarëve në 1993 :“Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimeve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm e konstruktiv”.


(03.04.06. R.V.) Populli Shqiptar, më pëlqen të kujtoj në këtë çast shembullin tënd në këtë pikëpamje. Që të tre Komunitetet fetare mbajnë raport respekti reciprok të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këtë pikëpamje, Vëllezër e Motra të dashura!”.
Po e përkujtojmë Papën e madh GjonPalit të II-të me fjalët testament që ua la shqiptarëve me rastin e vizitës historike të 25 prillit të 1993 në Shqipëri. Nga sheshi Skenderbe i Tiranës, Papa Vojtila mes tjerash u tha shqiptarëve:
“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, të dashur Vëllezër e Motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit….Ju sot keni fituar lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakur. Jeni ngjitur lart mrekullisht, nga një greminë tiranie dhe vdekjeje. Kur dukej se po shuhej gati çdo motiv i arsyeshëm besimi, zbrardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall guximi për të qëndruar, u ndez përsëri drita e shpresës.
Po kjo liri besimi fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është dhuratë për të gjithë, sepse ajo( liria fetare) është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të shenjtë dhe të padhunueshëm që është ndërgjegjia, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetin të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembet asnjë çrregullimi shoqëror.
Besimi i çiltër në të vërtetë, nuk i përçan njerëzit, por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyre. Sikur na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, atëherë që të gjithë jemi vëllezër. Kështu që feja ështè një Kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe jepë një kontribut vendimtar për një vëllazërim njerëzor. Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimeve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm e konstruktiv.
Popull Shqiptar, më pëlqen të kujtoj në këtë çast shembullin tënd në këtë pikëpamje. Që të tri Komunitetet fetare mbajnë raport respekti reciprok të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këtë pikëpamje, Vëllezër e Motra të dashura! Ju do të keni merita për solidaritetin dhe për paqen në Atdheun tuaj dhe në krejt zonën e shumëvuajtur të Ballkanit. Kështu, ju mund të ndërtoni një bashkim kombëtar të urtë dhe të qëndrueshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.