2006-04-03 18:12:20

Paqja nuk është kurrë e pamundur: kështu u tha Papa ipeshkvijve të Bregut të Fildishtë


(03. 04. 06 R. V.)Kriza e rëndë e pazgjidhur politike në Bregun e Fildishtë – ishte në qëndër të fjalimit që Papa Benedikti XVI u drejtoi sot paradite ipeshkvijve të vendit afrikan , duke i pritur në audiencë, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina’ – tek ‘Varret e Apostujve’.
E kjo krizë, që hap një plagë të thellë në marrëdhëniet ndërmjet shtresave të ndryshme të shoqërisë së vendit, ushqehet nga një konflikt civil ndërmjet Qëndrës Veriore të Bregut të Fildishtë, pushtuar që nga viti 2002 prej rebelëve të forcave të reja dhe Jugut, nën drejtimin e presidentit Gbagbo. Ndonëse në vitin 2003 u formua qeveria e pajtimit kombëtar, vendi mbetet i ndarë në dy pjesë, ku nuk pushojnë ndeshjet, të cilat krijojnë rrezikun e shpërthimit të luftës civile. Në këto rrethana, që kanë hapur plagë të cilat nuk mund të shërohen lehtë – vërejti Papa - paqja mund të rivendoset vetëm përmes faljes të dhuruar bujarisht e pajtimit të realizuar konkretisht. Prandaj Benedikti XVI i ftoi palët në konflikt të vijojnë me guxim dialogun për të shqyrtuar në mënyrë të thelluar e të drejtë shkaqet që kanë çuar në situatën aktuale:
‘Le chemin de la paix…
Rruga e paqes është e gjatë dhe e vështirë, por nuk është kurrë e pamundur” – këtë theksoi Papa dhe i nxiti katolikët të japin shembull të mirë ndër bashkësitë e tyre, duke rikrijuar besimin ndërmjet nxënësve të Krishtit, pavarësisht nga opinionet e ndryshme politike që mund të kenë. Në kishat tuaja dioqezane – i porositi Papa ipeshkvijtë – prelatët, meshtarët e rregulltarët duhet të jenë modele të vëllazërimit e të dashurisë, duke kontribuar me fjalët e tyre, e sidomos me veprat, në ndërtimin e një shoqërie të pajtuar”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.