Papa kërkon për sot e për nesër dy ditë lutjeje e agjërimi për Irakun
( 03. 04. 06 R. V. ) Dy ditë kushtuar lutjes e agjërimit për paqen në Irak:
është nismë e Patrikut të Babilonisë së Kaldejve dhe ipeshkvijve irakianë, me të cilën
u bashkua edhe Benedikti XVI. Dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa i ftoi të marrin
pjesë në këtë nismë të gjithë besimtarët katolikë dhe njerëzit vullnetmirë. E Patriku
njofton se në përfundim të dy ditëve të agjërimit, do të kremtojë Meshën në katedrale,
duke nënvizuar se do të jenë të pranishëm edhe personalitete myslimane që – siç thekson
Fortlumturia e Tij – dëshirojnë të luten së bashku me katolikët në një vend ku vrasjet
dhe atentatet e vazhdueshme terroriste vijojnë ta vënë në provë të rëndë popullsinë
dhe vështirësojnë formimin e qeverisë. Por, ta dëgjojmë vetë Emanuelin III,
Patrik i Babilonisë së Kaldejve, në mikrofonin e Radios sonë: - Unë flas për
ata që janë në Irak. Ka pjesëmarrje të shumë miqve myslimanë e të bashkësive
myslimane, që më përgëzuan për këtë thirrje drejtuar irakianëve në Irak e jashtë vendi,
si dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë të botës, të luten së bashku me ne për paqen
e për sigurinë e këtij vendi të martirizuar prej shumë vitesh.