2006-04-02 18:03:09

Rubrika “Shenjtorët e Javës”


RealAudioMP3 (02. 03. 06 R. V.) Sot 2 prill, e Diela V e Kreshmëve, Kisha katolike përkujtoi edhe Shën Françeskun e Paolës, eremit, Themelues i Urdhërit të më të vegjëlve si dhe Shën Marinë egjiptiane, pendestare.
***
Nesër, e hënë, do të kremtojë Shën Sikstin I papë dhe Shën Rikardin, ipeshkëv i Çiçesterit në Angli. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kush ecën në rrugën e Zotit nuk ka frikë nga errësira, sepse ndriçohet nga Krishti, drita e Atit, ardhur në botë për të na treguar rrugën e së vërtetës.
***
Të martën do të përkujtohen Shën Izidori, ipeshkëv i Seviljes e doktor i Kishës dhe Shën Benedikt Moro, françeskan. Na kujtojnë se njeriu që nuk ka fe, nuk mund ta njohë Jezusin, sepse vetëm feja na ndihmon t’i shkëpusim sytë nga toka ku jetojmë e të shikojmë lart, atje ku na pret Biri i ngjallur i Zotit.
Të mërkurën e ardhshme do të përkujtohen Shën Vinçenc Ferreri, meshtar dominikan dhe Shën Irena, virgjër e martire. Leximet biblike të festës së tyre na kujtojnë se për të qenë të krishterë të vërtetë, më parë duhet të jemi njerëz të lirë, të heqim dorë lirisht nga vetvetja, për t’u bërë vend të tjerëve e sidomos, Tjetrit, Krishtit.
Të enjten do të përkujtohen Shën Çelestini; Shën Gala, vejushë romake dhe Shën Pjetri nga Verona, meshtar dominikan e martir. Jeta e tyre na kujton se Zoti është besnik përgjithmonë.
Të premten e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë Shën Gjonin de la Sale, meshtar, themlues i vëllezërve të shkollave të krishtera. ‘Shumë besuan tek Ai’ – thotë Ungjilli i festës së Shën Gjonit. Por sa herë në zemrat tona fshihet mosbesimi? Për të pasur një fe të patundur duhet të thellohemi në Krishtin, Fjala e Atit.
Të shtunën do të kremtohet Shën Dionizi, ipeshkëv i Korintit: është preludi i të Dielës së Larit e më pas, i Javës së Madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.