2006-04-02 17:46:15

Gjon Pali II na ka lënë një trashëgimi të pafundme: kështu e kujtoi Benedikti XVI paraardhësin e tij në përvjetorin e parë të vdekjes


RealAudioMP3 (02.04.06. R. V.)Besimtarët katolikë në mbarë botën përkujtojnë përvjetorin e parë vdekjes së Papës Vojtila. Sot lutja e Engjëllit të Tënzot; sonte, nata e lutjes në Sheshin e Shën Pjetrit me Benediktin XVI; nesër pasdite kremtimi eukaristik për shpirt të Papës Gjon Pali II i kryesuar nga Ati i Shenjtë, Benedikti XVI duke filluar nga ora 17. 30.
Populli i Zotit, plot emocion e mirënjohje, po përkujton kryevjetorin e vdekjes së Gjon Palit II; në sa ne po transmetojmë, në Sheshin e Shën Pjetrit vijon nata e lutjes në praninë e Benediktit XVI e të një turme të jashtzakonshme besimtarësh.
Figura e Papës Vojtila u sintetizua kështu nga Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot: ‘ Gjon Pali II jetoi i frymëzuar nga guximi i paepur i fesë’.
***
Gjon Pali II ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e Kishës dhe të njerëzimit – tha Benedikti XVI në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot duke përkujtuar kryevjetorin e Tij të vdekjes. Papa foli në Sheshin e Shën Pjetrit përplot me besimtarë, të cilët dëshmuan përsëri dashurinë bijnore që i lidh me Karol Vojtilën. Të shumtë shtegtarët e ardhur nga Polonia për Papën e tyre aq të dashur. Benedikti XVI i ftoi të gjithë për natën e lutjes që, tani kur ne po transmetojmë vijon në Sheshin e Shën Pjetrit. Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI i nxiti të gjithë besimtarët të luten e të agjërojnë për paqen në Irak.
***
“Një shtegtim feje, dashurie, shprese, që ka lënë gjurmë të thellë në historinë e Kishës e të njerëzimit” – me këto fjalë Benedikti XVI përshkroi orët e fundit të jetës tokësore të Gjon Palit II. Agonia dhe vdekja e tij – nënvizoi Papa – ishin gati-gati si një zgjatje e Triditshes së Pashkëve. Benedikti XVI kujtoi pamjet e Udhës së fundit të Kryqit të Karol Vojtilës, ndjekur nga Kapela private, duke mbajtur në duar një kryq. Pastaj kujtimi i Atit të Shentj u rikthye tek dita e Pashkëve të vitit të kaluar:
***
“Dha bekimin Urbi et Orbi – Romës e Botës – pa mundur të shqiptojë fjalë, vetëm me një gjest të dorës. Ishte bekimi më i ndjerë e më prekës që na la si dëshmi e fundme e vullnetit të tij për ta kryer detyrën deri fund të fundit. Gjon Pali II vdiq ashtu siç kishte jetuar, i frymëzuar nga guximi i paepur i fesë, duke u lëshuar plotësisht në dorën e Zotit e duke ia besuar vetveten Zojës së Bekuar”.
***
Më pas Papa u kujtoi të pranishmëve natën e lutjes, që është duke vijuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe Meshën e përshpirtjes, që do të kremtohet nesër pasdite. Dy çaste për të kujtuar së bashku me Benediktin XVI, të madhin Karol Vojtila. Më pas Shenjtëria e Tij u ndal tek trashëgimia që ka lënë Papa i cili ‘i priu Kishës në Mijëveçarin e Tretë’.
***
“Trashëgimia e tij është e pafundme, por mesazhi i papnisë së tij të gjatë mund të përmblidhet në fjalët me të cilat ai deshi ta përurojë këtu, në Sheshin e Shën Pjetrit, më 22 tetor 1978: ‘Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit!’. Këtë thirrje të paharrueshme, Gjon Pali II e mishëroi me gjithë vetveten e me gjithë misionin e Pasardhësit të Shën Pjetrit, posaçërisht me programin e tij të jashtëzakonshëm të shtegtimeve apostolike”.
***
Gjon Pali II – vijoi Papa – e kumtoi përherë Krishtin, duke ua propozuar të gjithëve, siç pati bërë Koncili II i Vatikanit, si përgjigje për realizimin e shpresave të njeriut për lirinë, drejtësinë e paqen. Vdekja e tij – tha Benedikti XVI – ishte një ‘dëshmi koherente feje”. Ia dhuroi vetveten të tjerëve deri në fund të fundit.
***
”Në vitet e fundit Zoti pak nga pak ia mori të gjitha, për ta bërë plotësisht të ngjashëm me Vetveten. E kur nuk mundi më të shtegtonte, e më pas as të ecte, e së fundi nuk mundi as të fliste, gjesti i tij, kumtimi i tij u kufizua në atë që ishte themelore: në dhurimin e vetvetes deri në fund të fundit!”.
***
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI vuri theksin tek nisma për paqen në Irak, organizuar nga Patriku i Babilonisë së Kaldejve, Emanueli III Deli dhe nga ipeshkvijtë irakianë. Një thirrje e cila na prek në zemër, që nesër e pasnesër, të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkohen në lutje e në agjërim për t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes e të harmonisë në Irak e në mbarë botën. Papa i ftoi të gjithë të bashkohen me nismën e vëllezërve të këtij vendi të martirizuar. E më pas, në fjalët drejtuar shtegtarëve, Ati i Shenjtë përshëndeti posaçërisht besimtarët polakë, që i pritën fjalët e Benediktit XVI me një duartrokitje të stuhishme: “Falënderojmë Zotin – tha Shenjtëria e Tij – për veprën e jetës së Papës Vojtila e për çdo të mirë që i solli Kishës dhe botës”.Së fundi Papa i ftoi të rinjtë në takim për të enjten e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit për tubimin në prag të Ditës XXI Botërore të Rinisë, që do të mbahet në nivel dioqezan të Dielën e Larit në të gjithë botën katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.