2006-03-31 18:24:54

“Duke iu nënshtruar vullnetit të Hyjit, njeriu gjen paqen”. U kremtua në Vatikan predikimi i dytë i Kreshmëve me Papën e Kurien


(31 . 03. 06 R.V. ) “Duke iu bindur Zotit, që nuk e kufizon lirinë personale, njeriu gjen paqen sipas shembullit të Krishtit e të Virgjërës Mari”: kështu u shpreh sot Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, gjatë predikimit të dytë të Kreshmëve, në prani të Papës e të Kuries Romake.

Vlera e bindjes në jetën e Krishterë, duke nisur nga nënshtrimi i plotë i Jezusit ndaj vullnetit të Atit në Kopshtin e Ullinjve: kjo ishte tema rreth së cilës u zhvillua predikimi i dytë i Kreshmëve, mbajtur sot në Vatikan.
***
Jezusi që, i përkulur me fytyrë përdhé në Gjetseman, pranon t’i nënshtrohet gozhdimit në kryq, është për të krishterët figura më e lartë e bindjes ndaj Zotit. Kështu e hapi meditimin e sotëm Atë Kantalamesa, duke theksuar më pas se nënshtrimi nuk është tipar i Zotit, por i njeriut, ndërsa në fjalët “u bëftë jo ajo që dua unë, por ajo që do ti” të cilat Jezusi ia drejton Atit, ndjehen të dyja natyrat e Krishtit, njerëzorja e hyjnorja. Duke iu bindur Zotit, Jezusi bëhet shkëmbi i shpëtimit për botën. E prej këndej burojnë edhe mësimet praktike të jetës së krishterë.
***
Vetëm në se besohet në një ‘sundim’ aktual të Krishtit të ngjallur mbi Kishën e tij, vetëm atëherë jemi në gjendje ta kuptojmë nevojën dhe rëndësinë e bindjes ndaj Zotit. E kjo do të thotë ta dëgjosh me vëmendje Zotin, i cili flet në Kishë përmes shpirtit të vet, që ndriçon fjalët e Jezusit e të mbarë Biblës dhe u jep atyre autoritet, duke i bërë rrugë të vullnetit të gjallë e aktual të Zotit për ne – tha predikatari, dhe në përfundim shtoi:
***
Po pse Zoti i vë kaq rëndësi nënshtrimit. Sigurisht jo nga që i pëlqen të komandojë e të ketë nënshtetas. Bindja ka rëndësi sepse duke u bindur, ne bëjmë vullnetin e Zotit, duam të njëjtat gjëra që do Zoti e kështu realizojmë thirrjen tonë të zanafillës: të jemi shëmbëlltyrë e Hyjit. 







All the contents on this site are copyrighted ©.