2006-03-31 18:39:33

Sot, 31 mars, Kisha katolike përkujtoi Shën Amosin profet


( 31. 03. 06 R.V.) RealAudioMP3 Amosi, profet e shkrimtar, lindi kur shteti i krijuar nën mbretërimin e Saulit, ishte ndarë në dy mbretëri: Izraeli në veri e Juda në jug. Profeti jetonte në Tekoa, pranë Betlehemit, kur Zoti e urdhëroi të linte punën e bujkut e të blegtorit e të shkonte për të predikuar në mbretërinë e veriut. Amosi pranoi menjëherë, ndonëse nuk kishte parafolur kurrë në emër të Zotit.
La tokën e bagëtitë e hyri në mbretërinë e Izraelit në kohën e Jeroboamit II (783-743), kur vendi ishte në kulmin e lulëzimit të jetës shoqërore e fetare. Së paku në dukje. Shenjtëroret e Bet-Elit e të Danit ishin përplot me besimtarë, me dhurata e me rite solemne. Amosi, duke i qëndruar besnik thirrjes së Zotit, arriti në Bet-El pikërisht për ta shkatërruar festën e të pasurve, për t’i turpëruar ata që ishin në kulmin e kënaqësisë. Për këtë ishte ngarkuar. Duke hyrë në mes të turmës, nisi të profetizonte kobe për armiqtë e Izraelit e për mbrapshtitë e tyre. E kjo i kënaqi dëgjuesit e tij. Por shumë shpejt Amos nisi të flasë edhe kundër vetë dëgjuesve, të cilëve u kujtoi se e shtypin të drejtin për një grusht para; e shesin të varfrin për një palë sandale; e shkelin skamnorin si pluhurin e tokës. Pasuria e tyre ka në themel padrejtësinë: shitjen mashtruese, peshën e rreme, çmimin e pandershëm, shfrytëzimin e të varfërve, fajdenë e pashpirt, skllavërimin e borxhlinjve. Po, Zoti i mbarë popujve do t’i ndëshkojë armiqtë e Izraelit, por edhe kjo mbretëri hajdutësh duhet ta paguajë deri në një mbrapshtinë e vet. Nuk mjafton kulti fetar, as zbukurimi i tempujve, feja duhet jetuar vërtetësisht e Zoti duhet kërkuar, duhet adhuruar me vepra, jo me fjalë. Profeti bën thirrje “Kërkojeni Zotin e do të jetoni”. Për ata që nuk duan të ecin në këtë rrugë, parafolja e Profetit është e tmerrshme. Ja ç’profeci i bën Amosi Amazisë, kryepriftit të Bet-Elit: “Thotë Zoti: gruaja jote do të çnjerëzohet rrugash, bijtë e bijat tua do të bien nën teh të shpatës, prona jote do të ndahet me litar, ti do të vdesësh në tokë të përlyer e populli i Izraelit do të mërgohet në vise të largëta”. E profecia e tij do të vërtetohej kur mbretëria e veriut do të pushtohej nga asirët në vitin 722 para Krishtit.
Po Amosi? Mund të mendojmë se u kthye në atdhe: lajmin e kishte dhënë, misionin, përmbushur. Ishte një lajm me vlerë për të gjitha kohërat e edhe sot na duket sikur e dëgjojmë duke i folur njerëzimit nga Bet-El-i i lashtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.